Janë rikthyer tensionet e “Unazës së Re”.
Tre persona të arrestuar së fundi, referuar ndryshimeve në kodin e ri penal, ku “nuk falesh” më po bllokove rrugën, një rit që ka qenë karakteristik për protestat gati njëvjeçare te zona e “Astirit”, ka sjellë një kundërreagim.
Banorë të zonës, të udhëhequr dhe nga emra të opozitës, ku veçon dyshja Klevis Balliu – Flamur Noka, janë dyndur te Drejtoria e Policisë duke kërkuar lirimin e të arrestuarve, deri në konfrontike fizike me policinë.
Balliu, lideri politik i tyre, tha se “nuk ka asnjë ligj që ndalon të drejtën për të protestuar. Jeni i dezinformuar, pasi nuk është bllokim rruge, por protestë, këto janë në protestë, nuk ka lidhje bllokimi i rrugës”.
Ndërsa kolegu i tij Noka, tha se PD-ja kurrë nuk do bënte një ligj të tillë.
“Kauza e banorëve të Astirit është e shenjtëruar, këta banorë mbrojnë të drejtat e tyre, banesën e tyre, janë heronj. Opozita e mbron me çdo çmim këtë kauzë. Nëse unë do të isha ministër i Brendshëm do të isha kategorik kundër atij ligji”, tha Noka. /tesheshi.com/