Koalicioni që lufton rebelët në Jemen, e që udhëhiqet nga Arabia Saudite, deklaroi sot se është i gatshëm të hetojë së bashku me SHBA-të një sulm ajror mbi një ceremoni mortore në Sana që vrau më tepër se 140 njerëz.
“Koalicioni do ta hetojë menjëherë këtë rast së bashku me Ekipin e Përbashkët të Vlerësimit të Incidenteve në Jemen dhe me ekspertë nga Shtetet e Bashkuara që kanë marrë pjesë në hetime të mëhershme,” thuhet në një deklaratë të përcjellë nga agjencia e lajmeve SPA.
Koalicioni do t’i japë gjithashtu ekipit hetues të dhëna dhe informacion në lidhje me operacionet ushtarake ditën e sulmit, si në vendin ku ndodhi ngjarja, ashtu dhe në hapësirat përreth.
Ky koalicion e ka mohuar që të ketë pasur rol në sulmin e së shtunës mbi Sana.
“Absolutisht asnjë operacion i tillë nuk është kryer në atë objektiv,” citohet të ketë deklaruar një burim i koalicionit.
Zëdhënësi i koalicionit, Ahmed el-Asiri, ka thënë për mediat saudite se aleanca i merr të tërë masat që të garantojë shmangien e tubimeve civile gjatë sulmeve ajrore.
“Koalicioni i ka shmangur në të shkuarën të tilla grumbullime, dhe (ato) nuk (kanë) qenë kurrë subjekt i objektivave,” ka deklaruar ai. /tesheshi.com/