Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndërsa paraqiti përpara Këshillit Bashkiak një urdhëresë për hapësirat publike, u ndal në atë që e cilësoi “ndotje estetike”. Sipas tij, ndotja estetike është njësoj si ndotja akustike apo plehrat, dhe për këtë do të ketë rregulla të reja për reklamat e dyqaneve. Në fokus të bashkisë, gjithmonë për të ndrequr problemet me estetikën, janë edhe shitësit ambulantë.
Kështu, për shitësit ambulantë do të propozohen dizajne të tezgave apo karrocave të tyre që i shërbejnë estetikës së qytetit.
“Shitësit e fruta-perimeve, librashitësit do të jetë dizajni i ri i pikës së shitjes. Brenda këtij viti do të propozojmë dizajnet e karrocave të ambulanteve, që jo çdo lloj teneqeje të fluturojë nëpër qytet, do të caktojmë dhe vendet. Patjetër që do të ndihmojë ata njerëz që jetojnë me djersën e tyre. Po sigurisht dhe të ndalojmë shitjen e rrobës në rrugë. Nuk është higjenike, nuk është mesjetë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se më 10 tetor përfundon dëgjesa për planin urbanistik, ndërsa taksa e ndërtimit nuk do të ulet. /tesheshi.com/