Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të 12 Drejtorive Vendore në qarqe, duke u kërkuar vartësve të ccdo niveli përmirësimin e standardit të shërbimit policor, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.
Sipas kryepolicit shqiptar, Drejtoritë Vendore duhet të forcojnë dhe përmirësojnë shërbimet në terren për të përballuar numrin e shtuar të turistëve, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj tyre, si dhe për të parandaluar e zbuluar ngjarjet kriminale.
Ai u ka lënë porosi të qartë policëve, se çdo shkelje e etikës gjatë kontaktit me turistët, do të marrë ndëshkim, por jo vetëm kaq, pasi ajo do të shkojë përtej përgjegjësi individuale. Edhe drejtuesit do të penalizohen për sjelljen e efektivëve që kanë në varësi.
“Çdo shkelje e etikës nga punonjësit e policisë, në kontakt me turistët, nuk do të trajtohet vetëm si një përgjegjësi individuale, por edhe si një përgjegjësi e drejtuesve përkatës. Policia e Shtetit nuk është një strukturë për vendosjen e gjobave dhe vjeljen e tyre, por është në shërbim të qytetarëve, vendas dhe të huaj, duke dëshmuar etikë dhe profesionalizëm.
Këshillimi dhe ndihma për qytetarët duhet të jenë parësore në punën e punonjësit të policisë”, ka thënë Rrumbullaku. /tesheshi.com/