Gruaja demokrate në krye të Shkodrës, Voltana Ademi, e shndërruar dhe në simbol të përplasjeve politike në kuadër të krizës, thotë se nuk do ia lëshojë Shkodrën qeverisë.
Ajo u ka dërguar një letër përfaqësive diplomatike në Tiranë, ku edhe pse ishin këto të fundit që mbështetën dhe legjitimuan 30 qershorin, ajo u “kërkon ndihmë” atyre për 13 tetorin opozitar, referuar vendimarrjeve të presidentit Meta.
Qeveria vendosi dhunshëm të konsumojë farsën e 30 qershorit, duke rrëzuar dekretin e Presidentit, fakt ky që u pohua zyrtarisht e qartë nga OSBE/ODIHR që në raportin paraprak! Në votime në Shkodër, sipas kësaj organizate dolën 8% e qytetarëve me të drejtë vote! Mbi shumë prej tyre, pati presione të çdo lloj forme që të paraqiteshin për të votuar, duke shkelur çdo princip të lirive të individit!”, shprehet znj. Ademi në letrën e saj, duke vijuar më pas me një kërkesë të pazakontë.
“Sot, në 2019- ën nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%- ësh! Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën!
Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision Administrativ Europian, besimplotë tek vullneti i tyre demokratik, derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese!”, shprehet kryebashkiakja e Shkodrës. /tesheshi.com/