Pas reagimeve të mëdha nga partitë politike dhe qytetarët për vdekjen e aktivistit të VV-së Astrit Dehari i cili po qëndronte prej 68 ditësh në burgun e Prizrenit, ka ardhur edhe reagimi i familjes Dehari.
Lëvizja Vetëvendosje njofton se kërkesa e familjes Dehari është që të mos bëhet autopsia e Astrit Deharit pa qenë prezent mjekët e pavarur dhe neutral që do të caktohen nga familja.
Ky është njoftimi i plotë:
Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departmenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit tonë Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.
Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja. /tesheshi.com/