Kryeministri Rama mblodhi për herë të parë Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, një lloj qeveria e posaçme për pasojat e tërmetit, ku vendosi një kusht ndaj të gjithë atyre ndërtuesve, pallatet e të cilëve nuk u rezistuan lëkundjeve.
“Pallatet e dëmtuara, që mund të riparohen, do të riparohen nga ata që i kanë ndërtuar. O do t’i riparojnë vetë ose do shkojnë në burg, se nuk ka mundësi që të riparojmë pallate të cilat kanë shfaqur dëme të rikuperueshem sepse janë bërë gabime në realizim në zbatim. Edhe në këtë kategori ka jo pak pallate. Të vijën ata që i kanë bërë dhe t’i riparojnë, ato që janë të riparueshëm”, tha shefi i qeverisë.
E nga ana tjetër, Rama përmendi atë që e quajti “betejë të humbur” me ndërtuesit, gjatë kohës që qeveriste Tiranën si kryebashkiak. “Ndërtuesit që shkelin lejen e ndërtimit do të shkojnë në burg.
Kur e ke lejen për 8 kate dhe i thonë hajde ma bëj 12, ata (arkitektët) duhet të denoncojnë. Ata janë gardiani. Nuk mendohet që arkitekti të shkojë jashtë asaj që është vepra e tij. Duhet të ketë përgjegjësi individuale dhe të ketë pasoja penale dhe financiare.
Kjo ka qenë beteja ime e humbur, e kam humbur me shoqatat, me parlamentin, kur isha kryetar bashkie”, u shpreh Rama. /tesheshi.com/