Politika post-komuniste shqiptare po shënon një rekord të ri, atë të katër mandateve rresht në pushtet nga një forcë politike.
Me termat e fillimviteve ‘90 duhej të ishte PD-ja, themeluar asokohe për t’iu kundërvënë PPSH-së komuniste të Enver Hoxhës, një parti e parrezistueshme të forcë tërheqëse dhe popullaritet. Por është PS-ja, pasuesja e reformuar e PPSH-së, udhëhequr nga Nano e më pas Rama, dy emra të ardhur nga elita e dikurshme komuniste, por shfaqur me tjetër format politik, deri dhe anti-komunist.
Përballë tyre Berisha, një mishërim i njeriut të ri komunist, futur me aureolën e një doktori të njohur zemre në politikën e ndryshimeve të sistemit, vënë në krye të PD, por duke e dobësuar në vite këtë forcë me patalentin e tij të lindur politik, deri sa e ka sjellë në një forcë rregullisht humbëse, tejet larg mundësisë për t’u rikthyer në pushtet.
Madje dhe një kartë amerikane e përdorur si joshje ndaj elektoratit, duke bërë një lojë imazhi me figurën e Trump-it, po rezulton një dështim spektakolar për Berishëm.
Kështu, PS po kryeson bindshëm në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Sipas të dhënave të deritanishme, PS e udhëhequr nga Rama ka arritur të marrë 53.26 përqind të votave.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike – Aleanca për një Shqipëri të Madhe, sipas të dhënave të KQZ-së, deri më tani ka regjistruar 33.92 përqind të votave, gjë që e rendit atë si forcën e dytë politike, duke e lënë kësisoj sërish në opozitë.
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 41.41 përqind. Gjithsej 3.7 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, dhe për herë të parë, edhe diaspora mori pjesë në votim.
Një total prej 2,046 kandidatësh, ose 186 kandidatë nga secila zonë zgjedhore, garuan për 140 vende në parlament. /tesheshi.com/