Mazhoranca ka vulosur disa nga emrat që do të kandidojnë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Siç mësohet nga burime pranë mazhorancës, emrat e vulosur të hënën mbrëma nga Edi Rama dhe Ilir Meta për të kandiduar më 21 qershor për Aleancën për Shqipërinë Europiane janë Keti Bazhdari si kandidate për kryetare e Bashkisë së Shkodrës, Robert Bitri si kandidat i bashkisë së Fierit dhe për Pogradecin është vendosur të jetë Roshi Tollozhani.
Zonja Keti Bazhdari është kandidate që përfaqëson Partinë Socialiste dhe është një emër i njohur i ambjentit të biznesit dhe shoqërisë civile në qytetin e Shkodrës, por edhe atë politike. Ka qenë kryetare e PS-së së qytetit Shkodër dhe vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë.
Robert Bitri është aktualisht deputet i LSI-së për qarkun Fier dhe ka qenë prefekt i këtij qarku gjatë periudhës 2009-2013. Roshi Tollozhani është kryetar i komunës Buçimas së Pogradecit, një komunë e rëndësishme, por tashmë Pogradeci është vetëm një bashki. Ditët në vazhdim pritet të zgjidhen nyjet e tjera gordiane mes Ramës dhe Metës, ku Tirana, mbetet enigma më e madhe.(tesheshi.com)