Jordania rrit bashkëpunimin me Shqipërinë për shkëmbimin e informacionit mes shërbimeve sekrete për infiltrimin e mundshëm të segmenteve kriminalë në radhët e emigrantëve që kanë kaluar kufijtë.
Kjo është rënë dakord gjatë një takimi që shefi i diplomacisë shqiptare ka zhvilluar në Mbretërinë e Jordanisë, ku përveç të tjerash është pritur edhe nga Mbreti Abdullah II.
Jordania ka një nga shërbimet sekrete më të fuqishme në rajonin e Lindjes së Mesme. Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte intensifikimi i dialogut politik, nxitja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, bashkëpunimi në çështje ndërkombëtare e të sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit.
Bushati u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme të Jordanisë Nasser Judeh dhe zhvilloi një takim të posaçëm me Mbretin Abdullah II.
Ministrat Bushati dhe Judeh vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare dhe nevojën për mbështetje reciproke. Më tej, gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet rajonale, duke u ndalur në aspekte të sigurisë, luftës kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm si dhe krizës së refugjatëve të shkaktuar nga lufta në Siri. Ministrat theksuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave të suksesshme mbi tolerancën fetare dhe dakordësuan një seri hapash dhe aktivitetesh të përbashkëta në këtë drejtim.
Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar u vlerësuan gjithashtu si dy fusha ku është rritur bashkëpunimi i dy vendeve. Në këtë kontekst, Ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të Jordanisë me NATO-n.
Në pritjen që iu ofrua nga Mbreti Abdullah II, Ministri Bushati vlerësoi kontributin e veçantë të Madhërisë së tij për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Lindjes se Mesme si dhe për vëmendjen e treguar ndaj Ballkanit.
Madhëria e Tij Mbreti Abdullah, u shpreh se rajoni i Ballkanit është një rajon evropian, me një rëndësi strategjike për paqen dhe stabilitetin e mbarë Mesdheut. Në këtë kontekst, roli i Shqipërisë dhe vlerat e mbartura nga shoqëria shqiptare marrin një rëndësi të veçantë dhe duhen promovuar.
“Vizita e suksesshme e Madhërisë së Tij në Tiranë në maj të këtij viti hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve duke ndihmuar në identifikimin e qartë të fushave specifike të bashkëpunimit”, u shpreh Ministri Bushati. /tesheshi.com/