Në Major League Soccer do të luajë dhe një tjetër lojtar i përfaqësueses së Shqipërisë. Pas suksesit të Shkëlzen Gashit sezonin e shkuar, në futbollin amerikan i vjen radha Jahmir Hykës të tregojë se ç’është në gjendje të bëjë në fushën e lojës.
Një transferim për të cilin kishte zëra prej javësh, e të cilin e ka bërë zyrtar klubi i ri i Hykës, San Jose Earthquakes.
Hyka lë Lucernën në Zvicër, ku luajti për thuajse gjashtë sezone, që nga 2011-ta. Forma e mirë e treguar nga 28-vjeçari gjatë këtij sezoni do t’i mundësonte atij dhe rikthimin në kombëtare.
“San Jose Earthquakes njoftoi sot se klubi ka nënshkruar një kontratë shumëvjeçare me Jahmir Hykën, mesfushorin e përfaqësueses shqiptare,” thuhet në faqen e ekipit të ri të tij.
Një vlerësim i madh për Hykën shprehet nga menaxheri i përgjithshëm i San Jose-së, Jesse Fioranelli.
“Hyka sjell një element surprize në çdo ekip dhe në çdo ndeshje. Duke qenë një lojtar shumë i fortë teknikisht, ai e sulmon mbrojtjen në situata një për një, pa ndonjë shenjë se nga do të shkojë apo të pasimit që do të bëjë. Kjo do të thotë se sulmuesve tanë do t’u shërbehet mirë dhe elementi i surprizës do të na lejojë ne të sulmojmë nga shumë fronte.”
Në të njëjtën linjë vlerësimi është dhe trajneri i skuadrës, Dominic Kinnear. “Jahmiri është një lojtar krijues, që do të na bëjë një ekip më të rrezikshëm në sulm. Ai mund të luajë në të dy anët e fushës, dhe do të krijojë më shumë mundësi për ekipin tonë për të shënuar.”
Sezoni i ri në futbollin përtej oqeanit nis në mars. Pikërisht më 5 të atij muaj, San Jose Earthquakes do të presë në fushën e vet Montreal Impact-in. Ekipi i Hykës i zhvillon ndeshjet në Konferencën Perëndimore, ku gjendet dhe Colorado Rapids, skuadra me të cilën ativizohet Shkëlzen Gashi. /tesheshi.com/