Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Min Zhu, ku theksoi se për institucionet e Kosovës është shumë i rëndësishëm stabiliteti fiskal dhe në këtë kuadër duhet vendosur një rregull që kufizon rritjen e pagave në sektorin publik, pasi një gjë e tillë do të dekurajonte shpenzimet joproduktive dhe arbitrare.
Ajo vuri ndukje rëndësinë e investimeve në sektorin e prodhimit, pasi vetëm ashtu do të krijoheshin vendet e reja punës, do të kishte prodhim dhe eksport.
Jahjaga dhe Min Zhu biseduan edhe për sektorin e energjisë, ku Presidentja shprehu qëndrimin se Kosova duhet sa më parë të fillojë ndërtimin e termocentralit të ri, për të përmbushur nevojat e vendit.
Nga ana e tij, Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar Min Zhu, vlerësoi arritjet në Kosovë dhe punën që institucionet e vendit po bëjnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.
Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me FMN-në, me qëllim të krijimit të një kornize të qëndrueshme zhvillimore, e cila do të tërhiqte investime të huaja dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës. /tesheshi.com/