Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë.
Në një intervistë për të përditshmen Zëri, Jahjaga tha se “Mandati im përfundon më 6 prill 2016. Jam e përqendruar në përmbylljen e mandatit tim si presidente. Kam ende gjëra që më duhet t’i përmbyll. Dhe mos harroni, ende kam për të luajtur rol në tejkalimin e krizës aktuale. Kudo që do të jem, do të vazhdoj të jem e përkushtuar që të kontribuoj në forma të ndryshme në shumë çështje, të cilat i kam iniciuar në rolin tim si presidente”.
Sa i përket kandidaturës së Hashim Thaçit për kryetar të shtetit, presidentja Jahjaga tha se kjo është një çështje që i takon deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Është çështje e 120 deputetëve që janë të thirrur me Kushtetutë, të zgjedhin presidentin e Republikës së Kosovës. Kjo del përtej detyrave të mia kushtetuese të jap vlerësim për këdo nga ky pozicion”. /tesheshi.com/