Presidentja Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, të cilën e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
Ajo e ka falënderuar ambasadoren Jacobson për mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe gjithashtu për përkrahjen e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi. E para e vendit e vlerësoi miqësinë e ambasadores Jacobson dhe përfaqësimin e denjë të SHBA-së në Kosovë.
Ndërsa ambasadorja Jacobson e falënderoi Presidenten Jahjaga për nderimin me Medalje Presidenciale dhe e vlerësoi si shumë të veçantë miqësinë me qytetarët e Kosovës. Ajo gjithashtu e vlerësoi rolin dhe angazhimin e Presidentes Jahjaga si faktor uniteti dhe theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtohet si një shtet demokratik e gjithëpërfshirës./tesheshi.com/