Nga Bashkim Kastrati
Ligji i Punës që ishte i shumëpritur nga punëtorët, fatkeqësisht deri në këtë fazë nuk po zbatohet si duhet. Drejtues të disa instituteve që e kanë monitoruar zbatimin e Ligjit të Punës, thonë se ka disa ngecje në zbatimin e këtij ligji, si puna jashtë orarit, puna gjatë uikendit, puna pa kontrata, etj.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se duhet më shumë kohë që ky ligj të zbatohet tërësisht, ndërsa theksuan se në muajt e parë të miratimit të këtij ligji, qëllimi primar ka qenë vetëdijësimi i punëdhënësve, ndërsa tani ka filluar edhe shqiptimi i gjobave, por sipas tyre numri i vogël i inspektorëve është pengesë e madhe, pasi që ka komuna që nuk kanë asnjë inspektor. Ndërsa, disa punëtorë që janë intervistuar, kanë thënë për tesheshi.com se vazhdojnë të punojnë jashtë orarit, pa siguri në punë, pa kontrata, pa asnjë ditë pushim dhe se vazhdojnë të durojnë padrejtësitë e punëdhënësve.
Ligji i Punës është një nga ligjet që ka bërë më së shumti bujë tek qytetarët e Kosovës. Për miratimin e këtij ligji ka pasur shumë presione nga punëtorët, sindikatat e punëtorëve dhe nga shoqëria civile. Ligji i Punës i cili është miratuar më 2 nëntor 2010, dhe ka hyrë në fuqi më 16 dhjetor 2011, nuk po zbatohet ashtu siç duhet, sepse edhe pas miratimit të këtij ligji aq të rëndësishëm dhe të shumëkërkuar ende po shkelen të drejtat e punëtorëve, sidomos në sektorin privat.
Miratimi i Ligjit të Punës ka bërë që disa punëdhënës të nënshkruajnë kontrata afatshkurta me punëtorët, për shkak të lehonisë në mënyrë që t’ua shkëpusin kontratat në rast shtatzanisë, pra që të mos paguajnë pushimin e lehonisë. Gjithashtu mangësi tjetër është edhe mosdeklarimi i punëtorëve, që paraqet shkelje ligjore dhe nuk duhet të tolerohet. Por ka edhe biznese të tjera që sipas Inspektoratit të Punës nuk respektojnë orarin e punës si duhet, sikurse sektori i hotelerisë ku punëtorët punojnë më shumë se tetë orë në ditë, restorantet dhe lokalet, dyqanet e mëdha.
Megjithatë sipas institucionit, i cili vazhdon të merret me çështjen e zbatimit të këtij ligji, Inspektorati i Punës që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), vazhdon të punojë në vetëdijesimin e bizneseve për zbatimin e ligjit, duke shqiptuar edhe gjoba në raste shkeljesh.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, ka thënë për tesheshi.com se gjatë vitit 2014 Inspektorati i Punës ka bërë 9 mijë e 335 inspektime dhe ka shqiptuar 171 gjoba. Ai thotë se respektimi i ligjit të Punës për çdo ditë është duke u ngritur ,edhe pse nuk jemi të kënaqur me nivelin e respektimit të këtij ligji.
“Në vitin 2014 kemi evidentuar 2 mijë e 751 punëtorë pa kontrata pune, që mendojmë se është shkelja më e rëndë e të drejtave të punëtorëve, sa i parkete Ligjit të Punës. Shkelje të tjera ka edhe të orari i zgjatur i punës, pushimet vjetore, pagesa e orëve shtesë (jashtë orarit të punës), mospagesa e festave shtetërore etj”, thotë Ibrahimi.
Ai thotë se pengesa më e madhe në monitorimin e zbatimit të Ligjit të Punës është numri i vogël i inspektorëve. Ky numër i inspektorëve nuk është rritur që disa vite pasi që nuk po ndahet buxhet për rritjen e numrit të inspektorëve, gjë që është kërkuar edhe nga sindikatat, por edhe nga shoqëria civile, si domosdoshmëri për monitorimin e ligjit në fjalë dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Disa nga vështirësitë kryesore janë edhe numri i pamjaftueshëm i Inspektorëve të Punës, pasi inspektor të punës janë vetëm 51, kushtet e punës, vetëdija jo në nivel e punëdhënësve për zbatimin e këtij ligji, njohuritë e pamjaftueshme të punëtorëve për të drejtat e tyre dhe mosorganizimi sindikal ne sektorin privat.”
Ibrahimi thotë se viti 2014 është pasuar edhe me vdekje dhe lëndime të punëtorëve në vendin e punës. Kjo ndodh për faktin se punëdhënësit nuk u sigurojnë kushte të nevojshme punëtorëve.
Gjatë vitit 2014 janë evidentuar 53 lëndime në vendin e punës dhe nëntë raste të aksidenteve me vdekje në vendin e punës.”
Disa komuna nuk kanë inspektorë!
Shumë biznese vazhdojnë të mos nënshkruajnë kontrata me punëtorët e tyre dhe se një arsye për mosrespektimin disa prej neneve të këtij ligji është tendenca për t’i ikur tatimit dhe se kjo bën që disa biznese të mëdha të mos e zbulojnë asnjëherë numrin e vërtetë të punëtorëve, sepse ka nga punëtorët që nuk kanë fare kontrata dhe paguhen në baza ditore.
Pengesë për zbatimin e këtij ligji është edhe numri i vogël i inspektorëve, sepse përveç kryeinspektorit që ka një staf prej katër anëtarësh, në Kosovë janë në total 51 inspektorë, të shpërndarë nëpër komuna. Ky numër i inspektorëve është shumë i vogël për të mbuluar të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë.
Shtrirja e inspektorëve nëpër komuna gjithashtu nuk është në nivelin e duhur, ngase sot, kur Kosova ka 37 komuna, ende ka komuna që nuk kanë asnjë inspektorë të vetëm, përfshirë edhe dy komuna jo edhe aq të vogla si Suhareka dhe Istogu. Disa nga komunat e dala pas procesit të decentralizimit po ashtu kanë mungesë inspektorësh. Duke marrë parasysh këtë situatë, është e domosdoshme që të rritet numri i inspektorëve të punës. Përndryshe, si do të respektohet Ligji i Punës kur në disa komuna nuk ka fare inspektorë?!
Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në Kosovë janë të regjistruara mbi 106 mijë e 555 biznese. Në bazë të Konventës së ILO-s, në bazë të së cilës edhe është themeluar Inspektorati i Punës, inspektorët e punës duhet ta inspektojnë një biznes sa herë që ata e shohin të domosdoshme, dhe së paku njëherë në vit. Por, numri i vogël i inspektorëve pamundëson që çdo biznes të vizitohet një herë në vit. Nëse inspektorët duhet të vizitojnë çdo biznes të paktën një herë në vit, atëherë 51 inspektorët e punës për të vizituar totalin prej 106 mijë e 555 biznese, i bie që mesatarisht secili të inspektojë nga 2 mijë e 89 biznese në vit, gjë që praktikisht është e pamundur.
Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), ka bërë një monitorim se sa po zbatohet Ligji i Punës dhe cilat janë pengesat në zbatimin e këtij ligji. Ky hulumtim tregon se një numër i madh i të punësuarve, ndonëse kanë kontrata me shkrim ato nuk janë në përputhje me Ligjin e Punës.Sipas këtij, hulumtimi në shumicën e rasteve orari i punës është deri në 60 orë në javë dhe nuk paguhen orët shtesë, pushimi vjetor jepet pa pagesë ose në rastet më të mira 10 ditë në vit, ndërsa siguria në punë nuk është e rregulluar pothuajse fare.
Nuk kanë siguri në punë, punojnë edhe të dielën
Numri i madh i të papunëve ka krijuar komoditet tek punëdhënësit, të cilët e kanë mundësinë që të largojnë të punësuarit në çdo kohë dhe të punësojnë punëkërkues të ri. Kjo ndodh në gjithë sektorin privat, por është më e shprehur sidomos tek rrjetet e supermarketeve, të cilat vazhdimisht mbajnë të hapur konkurset për punë, ku pranojnë me mijëra aplikacione. Një punëtor i cili punon në njërin nga këto supermarkete, ka thënë për tesheshi.com se ka parë raste kur punëtorët janë larguar pa asnjë arsye.
“Në vendin ku punoj unë shpesh sheh fytyra të reja në punë, pasi që shpesh largohen disa dhe pranohen disa tjerë. Ka raste kur punëtorët largohen pa asnjë arsye, një rast ka qenë para disa muajve, kur shefi kryesor i ka parë duke qeshur një grup të vajzave dhe djemve brenda supermarketit dhe i ka larguar menjëherë nga puna, pa asnjë vërejtje paraprake. Por këto nuk janë të këqijat e vetme, kur ka zbritje sezonale, ndoshta për të kompensuar humbjet eventuale, është bërë një praktikë që secilit punëtor i gjendet ndonjë gabim dhe i ndalen 20 deri në 50 euro nga rroga. E kur llogarisim që në këtë rrjet të supermarketeve punojnë rreth 1 mijë e 500 punëtorë, mblidhen goxha para, por pa të drejtë. Punëtorët ose duhet që të pranojnë këto gjera ose të largohen nga puna”, thotë ai, duke hedhur dyshime se ka lidhje ndërmjet inspektorëve dhe biznesmenëve, pasi që asnjëherë nuk ka ndodhur që të gjobitet pronari i këtyre supermarketeve edhe pse ka pasur ankesa të shpeshta në inspektorat.
Gjithashtu, shumica e punëtorëve që punojnë në ndërtimtari dhe punë krahu në përgjithësi, nuk gëzojnë të drejtat që ua garanton Ligji i Punës. Ganiu, (që nuk dëshironte të jepte identitetin për shkak të rrezikut për të mbetur pa punë) një punëtor që punon për një nga kompanitë ndërtimore në Prishtinë, thotë se punon edhe në vikend.
“Ne përveç që punojmë nga 10 orë e më shumë, punojmë edhe të dielave, sepse shefi merr punë shumë dhe për një afat të caktuar duhet që t’i kryej dhe kështu ne duhet të punojmë shpesh pa asnjë ditë pushim”, thotë ai.
Ndërsa Brahimi një punëtor tjetër që punon në ndërtimtari, ka thënë për tesheshi.com se shqetësohet më së shumti për sigurinë në punë. Ai tha se nëse punëtorët e firmës ku ai punon lëndohen në punë, përveç dëmtimeve fizike duhet që të paguajnë edhe shpenzimet e shërimit.
“Mua më ka ndodhur vitin e kaluar që të rrezohem dhe më është dashtë që të paguaj spitalin vetë dhe gjatë asaj kohe kam mbetur pa të ardhura. Këtë fat e kanë pasur edhe disa kolegë të mi. Kjo ka ndodhur sepse kemi punuar pa kontrata dhe punëdhënësi nuk ka dashur që dëgjojë për këtë çështje. As tani nuk kemi kontrata, pra nuk kemi kurrfarë sigurimi, por shpresojmë që do të na i bëjnë kontratat me këtë ligjin e ri”, u shpreh ai. /tesheshi.com/