Nga Bashkim Kastrati
Një nga potencialet e zhvillimit ekonomik të Kosovës është sektori i bujqësisë. Toka pjellore dhe kushtet e volitshme atmosferike në Kosovë, sipas ekspertëve të bujqësisë mundësojnë rimëkëmbjen e shpejtë të këtij sektori, nëse institucionet e Kosovës në forma të ndryshme, përkrahin bujqit kosovarë.
Por aktualisht, Kosovës i mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë në të cilën do të vendoseshin prioritet që mund të realizojnë një rritje të prodhimit. Bujqësia, në përgjithësi prodhimi i ushqimit, duhet të jetë së paku në të ardhmen një ndër përparësitë konkurruese në Kosovë, sigurimi i ushqimit si për nevojat e vendit po ashtu edhe për eksportet. Bujqësia me të vërtetë është një resurs i cili në të ardhmen duhet të favorizohet shumë më tepër se sa që është favorizuar deri më tani.
Kosova, vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës dhe hyjnë në Kosovë.
Para disa javëve u raportua se në Kosovë po vjen grurë i cilësisë jo të mirë dhe se ai është i përdorshëm vetëm për kafshët, ndërsa në fakt e hanë qytetarët e Kosovës.
Është e çuditshme se si Kosova ka tokë pjellore, një pjesë e saj mbetet djerrinë, ndërsa nuk plotësohen nevojat e popullatës me miell vetëm nga prodhimi vendor.
Bujqit e pakënaqur: Subvencionimi bëhet mbi baza familjare dhe partiake
Ministria e Bujqësisë përkrahë bujqit me subvencione për drithërat. Kjo përkrahje financiare është vetëm për të mbjellat por jo edhe për korrje-shirjet.
Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ka thënë për tesheshi.com se bujqit nuk kompensohen për korrje-shirje dhe se asnjëherë nuk janë subvencionuar për operacionin e korrje-shirjeve. Ai thotë se kjo ministri që nga viti 2009 ka filluar subvencionimin e fermerëve për sipërfaqet e mbjella me grurë.
“Edhe sivjet, ashtu si viteve të kaluara, kultivuesit e grurit do të subvencionohen për hektarë, ku pagesat direkte për grurë do të jenë nga 150 euro për hektarë, ndërsa për farë gruri 250 euro për hektarë”, thotë Cakiqi.
Ai konfirmon se në vjeshtën e vitit 2014 janë mbjellë këto sipërfaqe të tokës bujqësore me kulturat: Grurë 84400 ha, elb 1600 ha dhe thekër 1030 ha.
Por bujqit shprehen të pakënaqur me përkrahjen që iu jep Ministria e Bujqësisë.
Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se përkrahja nga Ministria e Bujqësisë është në vlera të vogla të përkrahjes, procedura të komplikuara të aplikimit, ndërsa thonë se shqetësues është fakti se subvencionimet dhe grantet iu jepen në radhë të parë familjarëve dhe militantëve partiakë.
“Sindikata e bujqve nuk është e kënaqur me buxhetin që ndahet për subvencionim dhe për grante, sepse është buxhet shumë i vogël në krahasim me nevojat dhe interesimin e bujqve me perfitue në këto donacione të Ministrisë së Bujqësisë . Sindikata e Bujqve ka vejtur edhe në keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e buxhetit për bujqësi sepse pa dhenë mito, pa qenë militant i PDK-së ose farefis i zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, rrallë kush që merr subvencione apo grante’, thotë Tahiri, duke shtuar se kriteret që nxjerr Ministria e Bujqësisë për të përfituar një grant apo subvencion janë shumë të papërshtatshme dhe të qëllimshme që pjesa më e madhe e bujqve të mos mund t’i plotësojnë kriteret.
Këtë vit është dyfishuar buxheti për bujqësi
Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) Memli Krasniqi, ka thënë se këtë vit buxheti për këtë ministri është dyfish më i madh se sa në vitin 2014. Ai thotë se ky buxhet mundëson që të zgjerohet mbështetja në fusha të ndryshme, por edhe të rriten grantet dhe subvencionet për kultura të ndryshme bujqësore.
Buxheti është 60 milionë euro dhe 90 % e tij do të shpenzohet vetëm për ndihmë të drejtpërdrejtë për fermerët. Gjithashtu këtu llogaritet edhe në mbështetjen e madhe edhe nga organizatat ndërkombëtare si USAID, Komisioni Evropian, Banka Botërore e të tjera, të cilat po ashtu ndajnë fonde për bujqësinë dhe mbi të gjitha sjellin një ekspertizë për fermerët tanë.
Para disa ditëve MBPZHR ka shpallur konkursin për aplikim për fushën e blegtorisë dhe pemëtarisë.
Kjo ministri edhe këtë vit do të vazhdojë të mbështes sektorin e blegtorisë përmes pagesave direkte. Niveli i mbështetjes do të jetë:
Lopë qumështore – 70 € për krerë, buallica qumështore – 70 € për krerë, dele dhe dhi qumështore – 15 € për krerë, bletë – 10 € për koshere, dosa për riprodhim – 20 € për krerë, pula vojse, 2,000-10,000 pula – 0.50 € për krerë, mbi 10,000 pula – 0.40 € për krerë, qumësht sipas cilësisë – ekstra klasa – 0.06 €/litër, klasa e parë 0.04 €/litër dhe klasa e dytë 0.02 €/litër, therjet e kafshëve – 30 € për krerë.
Ndërsa fermerët që kanë të mbjellë (kultivojnë) vresht nga 0.10 hektar deri 100 hektarë do të subvencionohen në vlerë prej 1,000 € për hektarë. Fermerët që kanë të mbjellë (kultivojnë) vresht mbi 100 hektarë do të subvencionohen në vlerë prej 300 € për hektar.
Buxheti total që do të jepet për grante sivjet është planifikuar 20 milionë euro. Ndërkaq, sipas planifikimeve të bëra nga Ministria e Bujqësisë, për pagesa direket (subvencione) janë ndarë rreth 32 milion euro. /tesheshi.com/