Një sulm me armë mbi një patrullë të policisë në fshatin Lazarat, ka krisur qetësine e brishtë që mbizotëron prej disa muajsh në këtë zonë.
Pas përfundimit të operacionit antikrim – më saktë antikanabis – të fillmverës së kaluar në Lazarat, nuk janë rregjistruar ngjarje problematike përsa i takon cënimit të rendit dhe sigurisë publike. Por mbrëmja e së martës ndërsa katër persona kanë goditur me breshëri plumbash patrullën e policies, e ka rikthyer Lazaratin sërish në kronikat e policisë.
Policia: Kemi identifikuar katër të dyshuarit, vazhdojnë kërkimet për ndalimin e tyre
Në një deklaratë të publikuar ditën e mërkurë, policia do të jipte variantin e saj për ngjarjen. Sipas policise “në lagjen Lënxatë, rreth orës 21.00 të së martës, katër persona të armatosur nga Lazarati të cilët qarkullonin me një automjet Mitsubishi me targa fallco, janë përplasur me armë me forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, të cilët ishin duke patrulluar në lagjet e fshatit.
Patrulla e policisë u ka dhënë shenjë të ndalonin, por drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar. Policia është vënë në ndjekje, ku personat që ndodheshin në automjet kanë hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë dhe më pas kanë braktisur mjetin dhe janë futur në brendësi të fshatit.
Në ndihmë të forcave të policisë kanë shkuar dhe forcat e FNSH-së. Të dëmtuar nuk ka. Automjeti është sekuestruar ku brenda tij u gjet një armë zjarri, një fenelinë policie, gëzhoja e prova të tjera. Në afërsi të automjetit u gjet një automatik me fishek në gojë. Përgjatë gjithë ditës së mërkurë ka vazhduar krehja e të gjitha lagjeve të fshatit Lazarat nga RENEA, FNSH e forcat e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër për kapjen e katër personave të cilët jane identifikuar”.
Didi: Ngjarja e izoluar, do godasim me forcën e ligjit kriminalitetin
“Ngjarja e fundit në Lazarat ka qenë një incident i shkëputur në situatën aktuale të sigurisë dhe rendit publik në këtë zonë”. Kështu është shprehur Drejtori i Përgjithhsëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, pas ngjarjes në Lazarat ndërsa një patrullë e policisë u sulmua nga persona të armatosur. Ditën e mërkurë Didi ka drejtuar nga afër veprimet e policisë ne Lazarat. Sipas Didit, policia do të vazhdojë të godasë me forcën e ligjit fenomenin e kriminalitetit jo vetëm në fshatin Lazarat por në të gjithë vendin. “Në kuadër të aksioneve antikrim në prag të sezonit të kultivimit të bimëve narkotike në kemi hartuar një plan masash për goditjen e çdo rasti të rikthimit të mbjelljes së bimëve narkotike në Lazarat”, u shpreh Didi. /tesheshi.com/