Nga çdo ditë që kalon për çështjen “Tahiri”, mësohen më shumë mbi detaje dhe zhvillime që plotësojnë panoramën e një “rasti juridik” që duket se është pjekur prej kohësh.
Për ta kuptuar këtë, mjafton të lexosh letrën e shkurtit të këtij viti, ku Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ndërmori një sulm ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Në letrën që kreu i akuzës shqiptare i dërgoi Presidentit të atëhershëm, Bujar Nishani dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, ankohet se ambasadori amerikan u hoqi vizat prokurorëve të Saimir Tahirit, që ai e quan “faktor të ambasadorit”.
“Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu”, shkruan Kryeprokurori Llalla në letrën e gjatë drejtuar Bujar Nishanit dhe Ilir Metës.
Por për të qenë sa më koherent me ngjarjen edhe lidhjen e saj me aktualitetin, më poshtë po japim të plotë letrën e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe deklaratën e famshme të ambasadorit Lu, kundër Llallës, ku të dyja i përkasin muajin shkurt.
Në të dyja ka nëntekste të fuqishme të ndërlidhura me atë që zien sot, e që ka si kulm Saimir Tahirin.
Deklarata e plotë e ambasadorit të SHBA, Donald Lu:
Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy-shqiponja, politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin këto zgjedhje, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit.
Këta persona janë veçanërisht të frikësuar nga vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve dhe ata që mbrojnë demokracinë e drejtpërdrejtë. Ju flisni shqip. Ju kuptoni kontekstin politik. Dhe keni mësuar marifetet e partive politike.
Ju të shoqërisë civile dhe të medias jeni rojtarët. Kjo nuk është detyrë për amatorë. Nuk është pa kosto. Nuk është pa rreziqe. Që të keni efekt, ju duhet mbështetje politike dhe financiare. Ju duhet përvojë, besueshmëri dhe mbi të gjitha, ju duhet kurajo.
I njëjti sy-shqiponje është i nevojshëm për reformën në drejtësi. Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët.
Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka foluar vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për vetingun.
Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione.
Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste.
Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut.
Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do t’i mbështesin përpjekjet e tyre.
Javën e ardhshme, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja, për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Së pari do të ndihmojnë Kuvendin të vlerësojë kandidatët për Komisionet e Vetingut. Më pas, do të shërbejnë si monitorues në secilin prej Komisioneve të Vetingut për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale.
U bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë, të kualifikuar, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Vetingut. Faqja e internetit e Avokatit të Popullit përmban të gjitha hollësitë për aplikimin.
Mesazhi im sot është i qartë. Shtetet e Bashkuara i kanë sytë këtu, edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare, edhe OSBE-ja, edhe Këshilli i Evropës. Më e rëndësishmja, populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar që njerëz të fuqishëm ta vjedhin demokracinë tuaj.
Letra e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla
Drejtuar: SH.T.Z. Bujar NISHANI, President i Republikës
Ilir META, Kryetar i Kuvendit
Të nderuar Zotërinj,
Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikes gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anulluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anulluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti.
Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu.
Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.
Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.
Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.
Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.
Të nderuar zotërinj,
Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.
Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithëshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj.
Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional.
Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media.
Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithëshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014, Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin.
Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane.
Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.
Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë.
Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.
Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.
Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politikë në Shqipëri.
Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.
Të nderuar zotërinj,
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës.
Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë.
Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike Shqiptare.
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, larg çdo presioni e shantazhi që synon deformimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,
PROKURORI i PËRGJITHSHËM, ADRIATIK LLALLA
Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/