Në një mesazh në faqen e tij në FB, kryeministri i Kosovës është shprehur shkurt mbi aktualitetin në vendin e tij, por me disa nënkuptime të fuqishme. Ajo që vihet re ndër të tjera, është një frazë e tij kur thotë “….nuk duhet që me fatin tonë të eksperimentojnë as të tjerët, duke na vënë kushte çdo ditë, sepse nuk meritojmë që ne të mbesim popull i ngujuar në Evropë. Askush nuk mund të merr si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave”. Duken pra si fraza demaskuese të një loje që po luhet me Kosovën, të cilën Mustafa e ka nuhatur, e ka zgjedhur këtë lloj formulimi për ta përçuar. Shefi i qeverisë së Prishtinës, nuk ka nguruar të kërkojë me patjetër liberalizimin e vizave, dhe si shkak i asaj cffarë ka ndodhur kohët e fundit me një emigrim masiv e të pazakontë të qytetarëve të Kosovës. Ja mesazhi më poshtë:
Zhvillimi ekonomik është një prioritet të cilin duhet ta arrijmë. Kemi shumë punë për të bërë, na nevojitet përkrahje nga të gjithë. Duhet ta luftojmë korrupsionin, monopolin e disa kompanive publike dhe private dhe të krijojmë hapësirë të barabartë për çdo biznes. Nuk mund të lejojmë që të ngulfaten bizneset e vogla. Atyre do t`u hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit.
Krahas kësaj do ta bëjmë të qartë se ngujimi ynë me regjim të vizave na bën shumë të kufizuar të kontaktojmë dhe të konkurrojmë me ekonomitë e vendeve evropiane. Në këtë situatë ne bëhemi konsumatorë të produkteve të të gjithëve, por produktet tona dhe puna jonë do të mbesin çështje vetëm e “pashallëkut tonë”, prandaj edhe ato duhet të marrin vizën evropiane dhe të konsumohen edhe nga të tjerët.
Qytetarët e Kosovës janë orientuar qartë për lidhje me civilizimin evropian dhe me vendet perëndimore. Kjo derë duhet sa më shpejtë të na hapet, sepse është rrezik që njerëzit, disa për interesa të tyre e të tjerët, nga humbja e shpresës po ia mësyjnë nganjëherë edhe lindjes.
Ne do ta ndërtojmë fatin tonë me përgjegjësinë, nuk do të eksperimentojmë me te. Por poashtu, nuk duhet që me fatin tonë të eksperimentojnë as të tjerët, duke na vënë kushte çdo ditë, sepse nuk meritojmë që ne të mbesim popull i ngujuar në Evropë. Askush nuk mund të merr si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave. Kjo lëvizje jonë është e panatyrshme, por nuk është çështje e panjohur se drejt vendeve perëndimore lëvizin çdo vit edhe qytetarët e vendeve të Shengen-it dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.