Presidenti Thaçi njoftoi publikun se të hënën ai do udhëtojë drejt Hagës, për t’u paraqitur para Gjykatës Speciale, në marrjen në pyetje lidhur me aktakuzat e ngritura ndaj tij.
“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, shkruan kreu i shtetit të Kosovës.
Thaçi vijon duke thënë se “derisa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”.
“Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!”, përfundon mesazhi i presidentit Thaçi.
Kujtojmë se ditë më parë, teksa bëhej gati për t’u takuar me Vuiçiçin në Shtëpinë e Bardhë, në rinisje të dialogut me ndërmjetësim të fortë amerikan, nga Specialja në Hagë atij ju komunikua një aktaktuzë, e cila pati si efekt anullimin e takimit të Uashingtonit, e rrjedhimisht, kalimin e Dialogut nga SHBA te BE.
Kjo është hera e parë që Thaçi do përballet me prokurorë në Hagë, ndërkohë që bashkëluftëtarë të tij e kanë provuar disa herë më parë. Haradinaj ka “bashkëjetuar” madje për disa vjet me të tilla përballje.
E ndërkohë që Thaçi do udhëtojë drejt Hagës, si për ironi politike, njeriu që ai u investua për kryeministër në vend të Albin Kurtit, Abdullah Hoti, do jetë në Bruksel për të udhëhequr Dialogun. Veç përballjes me një aktakuzë për krime lufte, Thaçi humbi dhe kryesimin e Dialogut, procesi më delikat e më i vështirë në historinë e Kosovës. /tesheshi.com/