Nga Memedali Jusufi
Stevo Pendarovski është një figurë jo pak e njohur në ambientin politik maqedonas. Eshtë jo pak i njohur dhe për shqiptarët, pasi e lidh me ta pozicioni i zëdhënësit në dy situata kritike për marrëdhëniet ndëretnike. Ishte njëherazi dhe kandidat për Presidenti i propozuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. E vuan atë çfarë po ndodh sot me qeverisjen e vendit të tij. Vuan largimin nga Evropa, monumentalizmin e shfrenuar në qendër të Shkupit prej një qeverisjeje të papërgjegjshme, siç vuan dhe klimën jo të mirë në raportet ndëretnike. Pikërisht për këto flet në intervistën e mëposhtme, dhënë ekskluzivisht për portalin tesheshi.com…
Kriza politike në Maqedoni, po është tashmë një sfidë e madhe edhe për Bashkimin Evropian. Në debatin e fundit që organizoi Instituti për Politika Evropiane në Shkup, disa u munduan të hedhin teza se një pjesë të fajit për krizën aktuale në Maqedoni e mban edhe BE-ja. Si e shikoni këtë problematikë ju?
Ky problem është më i vjetër: respektivisht, të gjithë popujt që shumë vite ishin në komunizëm, ishin në një farë mënyre në një izolim të vetëimponuar dhe për këtë shkak ka mosbesim për botën e jashtme. Ai mentalitet gjoja se jemi të rrethuar vetëm nga armiq, për fat të keq, u mbajt i gjallë në një pjesë i popullsisë, evident dhe në ditët e sotme.
Edhe pse dëshirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, në të njëjtën kohë, tek një numër i madh i njerëzve ekziston një frikë, një droje, që më pas kthehet dhe në problem, për veten dhe për Europën.
Por veç kësaj trashëgimie historike negative, ekziston dhe një fushatë e mirëorganizuar anti-evropiane dhe anti-perëndimore, që për fat të keq e sheh të shfaqet në politikë, bartëse të së cilës janë dhe parti të qeverisë aktuale. Si ta kuptojmë këtë? Mjaft që qeveria, për të gjitha problemet në Maqedoni, nuk e sheh fajin te vetja por diku jashtë.
Ky largim nga përgjegjësitë, është jo vetëm problematik për zhvillimet e brendshme, më saktë mosgjidhjen e problemeve, por po na largon dhe nga miqtë tanë të mëdhenj nga komuniteti ndërkombëtar, pa të cilët vështirë të ndërtonim shtet në vitin 1991.
Shumica ju njohin si profesor universitar nga Kolegji Amerikan, që besoj se ndiheni i privilegjuar por këtë pozitë. Por doja t`ju pyesja se si u gjendët në politikë?
Kur u bëmë shtet i pavarur, u punësova në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kalova atje 10 vite në detyra të ndryshme. Sakaq, opinioni më mban mend si zëdhënës në dy momente kyçe për ne dhe për gjithë rajonin: në vitin 1999, lufta në Kosovë dhe në vitin 2001, konflikti ynë. Nga mesi i vitit 2001 u propozova si këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Boris Trajkovski dhe me të mbeta deri në fatkeqësinë ajrore të vitit 2004.
Një vit më vonë, isha Kryetari i Komisionit Zgjedhor. Ndërkohë, nga mesi i viti 2005 u ktheva në Kabinetin Presidencial si këshilltar për Politikë të Jashtme të Presidentit Cervenkovski. Jam profesor nga viti 2008 dhe deri më tani. Nuk jam ankuar për këtë vendim, pra për t`iu kthyer mësimdhënies universitare, sepse bëhet fjalë për punë me njerëz të rinj, njerëz modernë dhe të cilët do ta drejtojnë shtetin në shekullin e XXI.
Duam të dijmë diçka mbi përvojën si këshilltar i dy ish-presidentëve…
Isha i nderuar që të punoja më dy presidentët, Trajkovski e Cervenkovski, dhe ajo përvojë është unikale në çdo drejtim. Preferoj të mos flas për veten, por për ata: të theksoj se ata nuk ishin vetëm politikanë, por burrështetas! Pse? Sepse, edhe pse ishin të pozicionuar politikisht prej partive nga vinin, nuk punonin për vete ose për partinë e tyre, por për shtetin.
Tani po dëgjojmë se krerët më të lartë shtetërorë kanë ofenduar rëndë shqiptarët (për përgjimet është fjala), ndërkohë që ju jeni shumë i hapur dhe nuk keni aversion ndaj shqiptarëve. Si i vlerësoni ata dhe sfidën e tyre politike në Maqedoni?
Kam pasur mundësi të rrallë të punoj me të gjithë politikanët relevantë shqiptarë. Mund të them lirisht se në mesin e tyre ka individë shumë të aftë e të cilët janë vizionarë, si dje ashtu dhe sot. Po ju jell vetëm një shembull: e mbaj mend grupin e parë kuvendor të partisë së parë, PPD, gjatë mandatit 1990-1994, dhe nuk do gaboja po të thosha se ende mbeten të patejkalueshëm me paraqitjet dhe argumentat tyre.
Ndërkohë që fjala “aversion” të cilën e përdorni në pyejtjen tuaj, nuk duhet të egzistojë në kokat e asnjë njeriu i cili duhet të merret me politikë, pavarsisht se cilit grupi etnik ose partie politike i takon.
Si e shikoni bashkëpunimin rajonal?
Shumë politikanë ende nuk e kanë të qartë se terreni për bashkëpunim për një shtet të vogël siç është Maqedonia, janë drejtëpërdrejt fqinjët dhe gjithë ajo që na rrethon. Ne nuk kemi resurse që të shkojmë në të gjitha kontinentet që të gjejmë bashkëpunim me mijra kilometra larg nesh.
Para 10 ose 15 viteve, në kuadër të proçesit integrues me NATO-n dhe BE-në, Maqedonia nisi ta mësojë këtë leksion, por për fat të keq, 5-6 vitet e fundit, në vend që ne të jemi inicues të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, ndërtimit të përbashkët të infrastrukturës rrugore e asaj energjitike, shkuam dhe investuam në ndërtimin e përmendoreve.
Dhe si pasojë, efekti final është që bashkëpunimi rajonal në shumë fusha është zmadhuar, por ne nuk kontribuojmë në to me trende pozitive. Ndërkohë, na qesh e gjithë Evropa për atë që kemi bërë në mes të Shkupit.
Që ta përfundoj: 5 fqinjët e Ballkanit Perëndimor, praktikisht nuk egzistojnë në politikën tonë të jashtme dhe, meqë dikur ishim lider në rajon prej bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimit të ndarjeve mes popujve, sot jemi të margjinalizuarit e rajonit.
Marrëdhëniet ndëretnike janë një nga sfidat më të mëdha të Maqedonisë. Ju si e shikoni këtë sfidë?
Marrëdhëniet ndëretnike janë vërtet ndër sfidat më të mëdha, e që paradoksalisht është më e lëna jashtë axhendave politike. Me këtë problematikë, politikanët merren vetëm kur u del ndonjë problem dhe jo më përpara, sepse vlerësojnë se çdo dialog që është në funksion të së mirës së përgjithshme, ua heq përkrahjen nga bashkësia e tyre etnike.
Shumëkush mendon se me Marrëveshjen e Ohrit, shumë çështje do të zgjidhen një herë e përgjithmonë, por marrëdhëniet ndëretnike janë dinamike, materie e gjallë dhe asnjëhere nuk mund të zgjidhen duke thënë se “sot do e zgjidh këtë çështje”, ngase ato janë tejet ideale. Por si do të shkojnë punët në të ardhmen?
Në Maqedoni çdo herë kanë ekzistuar çështje të pazgjidhura dhe mundet që kështu të jetë në vazhdimësi, por kryesorja është që politikanët në pushtet të jenë të përgjegjshëm, të përpiqen dhe të flasin hapur për nevojën e të jetuarit në harmoni e paqe mes shtetasve me etni të ndryshme. Vetëm kështu mund të zvogëlohen tensionet.
Por, nëse zgjedhin që nëpërmjet ndasive ndëretnike ta përfitojnë politikisht, atëherë do të jetë keq si për shtetin e si për shoqërinë. Secili politikan i zgjedhur duhet që me shembullin e vet, të tregojë se i respekton jo vetëm të “vetët” por të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike.
Sa i takon proçesit integrues të vendit, sipas perceptimit tuaj politik ku gjendet Maqedonia?
Sipas vlerësimit tim, ne sot jemi më larg se kurrë këto 10 vitet e fundit dhe këtë fakt e dinë edhe kjo qeveri aktuale, por që nuk do ta pranojë publikisht. Më herët, me propagandën e tyre dëshironin të na bindnin se Greqia është fajtore dhe kontesti me emrin, por tani në pah dolën edhe shumë probleme tjera në zhvillimin demokratik, që nuk i ngjajnë një shteti kandidat për në Bashkimin Evropian dhe NATO. Vlerësimi është se derisa ta kemi këtë garniturë politike në qeveri, ne do jemi larg proçeseve integruese.
A ka alternativë tjetër Maqedonia veç NATO-s dhe BE-së?
Ekzistojnë edhe alternative tjera, por çështja është se a janë të mira. Ka të paktën edhe dy alternative të cilat përmenden nga ekspertë të afërt me qeverinë: e para është të jemi pjesë e vendeve të painkuadruara, atje pra ku nuk është anëtar asnjë nga shtetet e Evropës dhe e dyta të jemi bashkë me Rusinë dhe Kinën te disa organizata ndërkombëtare euro-aziatike, të cilat nuk kanë asnjë vlerë demokratike.
Të gjithë që dëshirojnë të anëtarësohen në këto dy organizata, duhet ta dinë mirë së në Bashkimin Evropian bëjnë pjesë të gjitha shtetet më të pasura dhe më demokratike në botë. Në këtë kuptim, unë do të dëshiroja që një ditë Maqedonia t`i ngjaj një Gjermanie apo Suedie dhe jo Rusisë.
Nëse do kishim zgjedhje vërtet demokratike, ju lirisht sot do të ishit Kryetar i Shtetit. Të paktën shumë shqiptarë këtë deshën. Një kolegu im thotë se ju dikur keni deklaruar se më shumë u njohin shqiptarët se sa vetë maqedonasit…
Të gjithë qytetarët pa përjashtim, maqedonasit dhe shqiptarët, padyshim që këto 15 vite kanë pasur mundësi të më njohin mirë, sidomos në vitin 2001 kur isha Zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në një kohë mjaft të vështirë për të gjithë ne. U them realisht se, as atëherë e as sot, asnjëherë nuk kam bërë kompromis me dy gjëra: me të vërtetën dhe me shtetin.
Besoj se shumë shqiptarë, por edhe të tjerë, më japin mbështetje më së shumti për këtë qëndrim timin dhe vërtet më vjen keq që zgjedhjet e kaluara atyre njerëzve nuk iu lejua të votojnë lirisht sipas vullnetit të vet.
Ndaj është shumë e rëndësishme që një ditë të keni zgjedhje të lira dhe demokratike, jo për mua vetë, por për të gjith ne që jetojmë në këtë shtet. Nuk ka vlerë më të madhe që ta jetosh jetën i lirë, ashtu siç dëshiron e jo ashtu siç dëshirojnë apo të thonë të tjerët.
Dhe në fund diçka relaksuese: si e kaloni kohën e lirë, kuptohet nëse e keni kohë?
Mundohem aq sa mundem që jetën time familjare ta mbaj sa më larg opinionit, sepse kur njeriu merret me politikë, jo çdo herë është e mundur një gjë e tillë. Jam i martuar prej 16 vitesh. Gruaja ime është profesore në Fakultetin e Stomatologjisë në Shkup. Kemi një djalë 13 vjeç dhe gjithë kohën e lirë që e kam, kur nuk jam i angazhuar me profesionin dhe politikën, e kaloj me ta e me të afërmit e mij. /tesheshi.com/