Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu në një intervistë për ‘tesheshi.com’ shprehet i bindur në fitoren e së djathtës në zgjedhjet lokale. Sipas tij, kjo fitore vjen për shkak se PD ka zgjedhur një plejadë kandidaturash mjaft të mira, të cilat i shtojnë shumë shanset e fitores PD në zgjedhjet lokale, duke u kombinuar me alternativën e qendrës së djathtë si alternativa më e mirë, me vizion të qartë zhvillues, me vizion të qartë përmirësues të mirëqenies së vendit. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në vend, z.Shehu shprehet shqetësues për numrin e madh të shqiptarëve që po kërkojnë të largohen nga vendi i tyre për të gjetur një jetë më të mirë në vendet e BE. Sipas tij kjo tregon se gjërat nuk kanë ecur mirë, se shumë shqiptarë kanë probleme të mëdha ekonomike, sociale. Në lidhje me zhvillimet në Rajon, z. Shehu thekson se Shqipëria dhe shqiptarët kanë një kontribut të paçmuar e të pazëvendësueshëm për stabilitetin e Rajonit tonë dhe për afrimin e tij të mëtejshëm me BE.
Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidatët e saj, cili është vlerësimi juaj për këta kandidatë dhe cfarë rezultatesh prisni në këto zgjedhje?
Kandidatët që ka zyrtarizuar Partia Demokratike, një pjesë të madhe të tyre unë i njoh personalisht dhe padyshim që janë kandidatë të denjë dhe plotësojnë të gjitha kriteret për të drejtuar njësitë bashkiake në të cilat garojnë. Ata janë njerëz me vlera, të cilët kanë dhënë sprova në fusha të ndryshme në profesionet e tyre, për konsistencën e tyre, për mishërimin e ndjenjës së shërbimit tek qytetarët.
P.sh Halim Kosova që është kandidat për Tiranën, është një mjek i shkëlqyer, që gjithmonë ka dhënë shembull në shërbimet ndaj njerëzve dhe që padyshim është i aftë të kryejë shumë mirë funksionin e Kryetarit të Bashkisë të Tiranës. Po kështu do të thoja për zonjën Duma, që është në Durrës një e re me energji, temperament, me vizion, me risi. Do të thoja për doktor Kokalarin në Gjirokastër një kirurg me vlera, një njeri që gjithmonë ka qenë pranë qytetarëve dhe tani do të jetë pranë qytetarëve edhe si Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Kështu do të thoja edhe për të tjerë për të mos vazhduar me emra të veçantë. Por sigurisht që PD ka zgjedhur një plejadë kandidaturash mjaft të mira, të cilat i shtojnë shumë shanset e fitores PD në zgjedhjet lokale, duke u kombinuar me alternativën e qendrës së djathtë si alternativa më e mirë, me vizion të qartë zhvillues, me vizion të qartë përmirësues të mirëqenies së vendit. Pa folur këto për problemet e mëdha që Shqipëria ka pasur në këto dy vite nga qeverisja e majtë krejtësisht e gabuar dhe aspak në funksion të qytetarëve, e cila padyshim që do të marrë një përgjigje politike nga vota e qytetarëve me 21 qershor.
Ndryshe nga herët e tjera juve, jua keni mbyllur derën aleatëve duke mos i favorizuar shumë, duke mos jua plotësuar kërkesat. Pse?
Jo, nuk është se ju është mbyllur dera aleatëve. Unë e kam theksuar dhe e kam thënë prej kohësh, duhet të jemi racional në politikë dhe çdo forcë politike duhet të kërkojë aq sa lidhet me dimensionet e saj. Në fund të fundit, opozita shqiptare lidhet me Partinë Demokratike, pa PD nuk mund të ketë opozitë shqiptare, ndërsa po çdo forcë tjetër mund të ketë opozitë shqiptare. Forca, motori i gjithë opozitës shqiptare është Partia Demokratike dhe këtu nuk duhet të ketë askush iluzione. Megjithatë bashkëpunimi me aleatët është i domosdoshëm, është i frytshëm dhe vazhdon të jetë i frytshëm. Ne do të bashkëpunojmë me aleatët edhe në terren, edhe në bazë të marrëveshjes së arritur nga z. Basha me një numër partish politike dhe bashkëpunimi nuk do të thotë që t`i lësh vendin e kryetarit të bashkisë, aq më shumë të bashkive të mëdhaja, forcave politike, të cilat nuk kanë dimensionet as për të fituar dhe as për të qeverisur nesër.
Përgjegjësia mbi qeverisjen e nesërme në ato bashki që do të fitohen do të bjerë pothuajse vetëm mbi PD. Dhe këtu duhet të jemi krejt koshient, krejt të qartë, të gjithë së bashku. Pa dyshim nuk do të tentojmë të shkojmë në ekstremin tjetër, në atë të zhvlerësimin të dimensioneve të gjithsekujt, pra duhet racionalitet. Unë mendoj se z. Basha edhe në këto vendime u tregua shumë racional, i qartë, i vendosur në qëndrimin e tij, duke bërë koalicione reale dhe duke treguar qartësisht se pesha e fitores dhe e përgjegjësisë bie mbi PD. Kështu që unë e përgëzoj z. Basha për këtë qëndrim të guximshem dhe realist që mbajti në këtë frymë bashkëpunimi që implementoi edhe me aleatët.
Shqipëria është përfshirë nga një eksod i madh, shumë shqiptarë kërkojnë të ikin duke kërkuar azil ekonomik në vendet e BE. Pse u rikthyem pas 25 vitesh sërish në këtë pikë?
Pas 25 vitesh të kthehesh sërish në një pikë të tillë, është e dhimbshme është tragjike. Kjo tregon se gjërat nuk kanë ecur mirë, kjo tregon se shumë shqiptarë kanë probleme të mëdha ekonomike, sociale, probleme të shpresës së tyre, të optimizmit të tyre. Kanë probleme me punën e qeverisë, me mosecjen siç duhet të reformave në vendin tonë sot, me mos ecjen siç duhet të Integrimit Europian sot, si pasojë e problemeve reale që ekzistojnë në vendin tonë. Kjo qeveri në vend që t`i bëjë ballë, përkundrazi është kthyer mbrapsht me shumë element, qoftë duke rritur taksat, qoftë duke shtuar varfërinë nëpërmjet uljes së vendeve të punës, qoftë duke ulur investimet në Shqipëri. Nga ana tjetër rritja e kriminalitetit, rritja e korrupsionit në sektorë të ndryshëm të vendit, janë tashmë shqetësime të mëdha. Të gjitha këto krijojnë një situatë të padurueshme tek qytetarët të cilët fatkeqësisht kërkojnë që të ikin dhe të largohen, kur në të vërtetë duhet të rrinë këtu të punojnë të tregojnë me forcën e tyre të votës se ky vend bëhet dhe se kjo Shqipëri duhet bërë. Pavarësisht largimeve, përgjegjësia bie mbi qeverisjen e sotme.
Para pak ditësh ju keni replikuar me deputetin Ben Blushi ndaj një shkrimi të botuar nga i kundër Janullatosit. Ai kritikonte zhvillimin e meshave ne gjuhe të huaj?
Unë nuk kam replikuar me asnjë individ të veçantë. Unë kam replikuar ndaj tentativës së disave për të hedhur hije dyshimi mbi punën e madhe të realizuar në Shqipëri, përmoskuptimin e drejtë të funksioneve të kulteve fetare dhe për mos respektimin e vlerave të gjithsekujt, aq më shumë të personaliteteve të mëdha të këtij vendi. Kultet tona fetare kane merita të pallogaritshme në këto 22 vite demokraci për të gjitha zhvillimet tona. Në këtë prizëm, meqenëse ishin përmendur emra konkretë unë shpreha të gjithë simpatinë time, të gjithë respektin tim, për atë që ka bërë në këto vite postdiktature Kisha jonë Ortodokse në funksion të zhvillimit të Shqipërisë, të integrimit të saj, paqes midis shqiptarëve, e rritjes së prestigjit tonë.
Padyshim, një rol të madhe e thelbësor merr për këto kontribute vetë kreu i Kishës Ortodokse, Imzot. Janullatos. Ky ishte reagimi im i bazuar mbi atë që unë konstatova në disa prononcime, shkrime etj, për mendimin tim të gabuara këto, atavike, e dashakeqe disa herë, që realisht godasin vlera të medha të këtij vendi. Por e bëra këtë pa dashur të replikoj në asnjë pikë të veçantë me emra konkrete. Nqs dikush do të më pyeste se mbi cfare atribute unë marr përsipër të bëj një afirmim të tillë, do t’i pergjigjesha se do të ishte më mirë që kjo pyetje t`u drejtohej atyre që ngrenë të tilla “stuhira”.
Klasa politike këtë kohë është fokusuar tek dekriminalizimi , si i parlamentit ashtu edhe i kandidatëve për pushtetin vendor kam parasysh këtu nismën e depozituar nga opozita në parlament. Pse erdhëm në këtë pikë?
Unë mendoj se është tragjike të thuash se duhet të dekriminalizojmë parlamentin. Të kërkosh nga parlamenti të dekriminalizohet, ndërkohë që kërkohen standarde të larta, intelektualiteti, përfaqësimi, profesionalizmi, mirësjellje, të qenurit afër qytetarëve, është megjithë mend tragjike, tregon se çfarë niveli jemi dhe sa poshtë është ulur steka e matjes së standardeve. Padyshim ky parlament ka probleme të mëdha. Ka probleme të mëdha të tilla që në vend që të diskutohet intelektualizmi, për tituj shkencorë, për nivelin e lartë profesional, diskutojmë për të tillë element të dekriminalizimit dhe për këtë me vjen dy herë keqardhje. Megjithatë kjo duhet të na bëjë të punojmë akoma më shumë dhe të kemi prioritet absolut luftën kundër dekriminalizimit dhe jo vetëm brenda parlamentit, por edhe në institucionet qendrore. Fatmirësisht parlamenti i ynë me një rezolute të tij të mbështetur nga BE kërkon dekriminalizimin e vetes. Kjo është pozitive, poir e pa mjaftueshme. Kjo tashmë është pranuar zyrtarisht nga parlamenti shqiptarë dhe nga parlamenti evropian.
Ky është prioritet absolut. Nuk mund të ketë zhvillim të vendit pa dekriminalizuar organet kryesore duke filluar nga parlamenti. Kjo duhet të jetë një çështje në rend të ditës prioritare për ne, të jemi të palëkundur në këtë axhendë politike. PD, e cila dha alarmin e parë, goditjen e parë, u bë iniciatore e rezolutës dhe tani është lokomotiva kryesore në këtë proces kaq të rëndësishme dekriminalizimi.
Ju keni vite në politikë. Cili është vlerësimi juaj për nivelin e këtij parlamenti?
Unë nuk do të hyj në analiza te tilla. Por ky parlament absolutisht ka njerëz me vlera, ka njerëz me vizione, ka politikanë të vjetër me eksperiencë , që duan të bëjnë detyrën e tyre, të sillen korrekt pavarësish se kujt krahu politik i takojnë, dhe nuk kam lëkundje në vlerat, në vetitë dhe intelektualitetin e tyre. Por fatkeqësisht ka edhe elementë që nuk duhet të ishin në përfaqësim qoftë për nivelin intelektual, edukativ, qoftë për nivelin politik apo profesional. Apo akoma më keq kur flasim për kriminalizim, për njerëz që kanë precedent penal, për deputetë që janë përfshirë në vepra penale. Absolutisht kjo është tragjike. Megjithatë, dua të vë në evidence se ishin vetë koleget me vlera të këtij parlamenti nën inisiativen e PD, që u bënë bashkë për të miratuar rezolutën për domosdoshmërinë e dekriminalizimit të parlamentit shqiptarë. Tashme kjo duhet të bëhet realitet sa më parë..
Si e shikoni gjendjen e shqiptarëve në Rajon dhe të ardhmen e tyre?
Unë mund të them pa asnjë ngurim se shqiptarët këto 23 vite kanë qenë pa asnjë dyshim populli më perendimor dhe progresiv në Rajon, duke ecur pa lëkundje në këtë rrugë, që nga ndryshimet demokratike në Shqipëri. Kështu Shqipëria dhe shqiptarët kanë një kontribut të pa çmuar e të pa zëvendësueshëm për stabilitetin e Rajonit tonë dhe për afrimin e tij të mëtejshëm me BE. Kjo vjen pa dyshim nga fakti i përkatësisë sonë të padiskutueshme Perëndimore, të vlerave të tilla që ne bartim. Por nga ana tjetër unë dua të theksoj se ky vizion na ka ndihmuar të dalim nga shtypja dhe të arrijmë të tilla suksese në një kohë shumë të shkurtër, që as mund t’i ëndërronim disa vite më parë. Sot Shqipëria është demokratike, anëtare e NATO-s e kandidate për në BE, Kosova është e lirë, e pavarur në rrugën e saj europiane. Shqiptarët në vendet e tjera përreth jetojnë në ambiente demokratike dhe roli e presitigji i tyre është i madh.
Të gjitha këto ndryshime janë edhe në sajë të partnerëve tanë e të rolit të tyre të pa zëvendësueshëm, të SHBA e të BE; pa të cilët nuk do ishte e mundur ky progres. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Dikush mund të thotë se akoma ka probleme. Pa dyshim që ka. Rruga e përsosjes është e pa fund, por dhe arritjet tona janë të mëdha. Ne kemi zgjidhur tashmë problemet historike. Duhet të vazhdojmë në këtë drejtim duke përmirësuar situatat hap mbas hapi. Nesër kur të gjithë së bashku të jemi anëtar të BE dhe i gjithë Rajoni të jetë pjesë e NATO-s, pa dyshim do të jetë shumë më mirë. Vetëm kështu zgjidhen problemet e bartura e ato të reja. Këtu dua të nënvizoj se ne si shqiptarë në tërësi duhet dhe kemi vetëm një plan A zhvillimi, atë të integrimit europian dhe të bashkimit të të gjithëve neve së bashku nën flamurin e Europës së Bashkuar.
Ne nuk mund të kemi edhe një plan B. Dhe këtu duhet të jemi të palëkundur, pa ekuivoke e shumë të qartë me veten dhe partnerët tanë. Çdo tentativë tjetër do të ishte me pasoja katastrofale për të gjithë neve. Këtë e aspirojnë veçse aventurierët dhe ata që nuk na duan të mirën. Nga ana tjeter edhe çdo prononcim, qoftë dhe për “presion” nëpërmjet alternativave apo mundësive të tjera “rezervë”, është jo vetëm një bllof i pa nevojshëm dhe pa efekte ndaj aleatëve tanë, por dhe një mundësi që edhe pa dashje të futemi në një spirale të rrezikshme për të ardhmen tonë duke krijuar amulli dhe vizione të gabuara. Ne duhet veçse të vazhdojme në rrugën e nisur, në përputhje me aspiratën tonë të madhe, duke përshpejtuar kështu ritmet dhe përpjekjet tona për plotësimin e standardeve të domosdoshme në procesin e integrimit. /tesheshi.com/