Eva Gjura
Politologu Prof. As. Afrim Krasniqi në një intërvistë për ‘tesheshi.com’ flet për financimet elektorale. Ai shprehet se Kushtetuta e Shqipërisë, neni 9, kërkon që partitë të bëjnë publike kurdoherë burimet e financimit, por kjo nuk ka ndodhur, nuk po ndodh dhe pavarësisht Kodit, shkelja e parimit dhe normës kushtetuese përbën një devijim thelbësor nga parimet demokratike të shtetit të së drejtës. i pyetur sesa kushton një fushatë elekorale në Shqipëri, z. Krasniqi shprehet se zyrtarisht shkon 7-8 million euro, por jo zyrtarisht shkon të paktën tre herë më shumë.
-Ka nisur zyrtarisht fushata elektorale, deri më tani asnjë nga partitë politike apo kandidatët nuk ka bërë publike shpenzimet e fushatës. Çfarë parashikon ligji?
Kur flasim për financime elektorale, kemi ndërmend tri burime financimi. Ato që vijnë nga buxheti shtetëror, ato që vijnë nga sponsorë dhe anëtarësia si dhe ato që vijnë në formë këmbimi, indirekt, përmes mjeteve që vihen në dispozicion të fushatës. Buxheti i shtetit është publik dhe partitë e kanë tashmë në numrat e tyre të llogarisë. Financimi nga mbështetësit nuk është publik dhe nuk ka asnjë të dhënë për shkak se ligji kërkon që kjo të bëhet publike pas fushatës. Financimi në mjete nuk përmendet asnjëherë dhe nuk llogaritet në financim, edhe pse de facto, ai është shpesh më i rëndësishëm sesa dy burimet e tjera. Kodi Zgjedhor ka rregulla të transparencës financiare, rregulla të cilat monitorohen nga KQZ dhe auditët e pavarur pas zgjedhjeve, dhe që realisht nuk garantojnë asgjë, as transparencë dhe as kontroll. Vetë fakti se auditët nuk paguhen për punën e tyre apo që ata thirren 45 ditë pas zgjedhjeve kur fituesit janë caktuar, tregon se ky kontroll ligjor është formal dhe më shumë alibi sesa përmbajtje. Kushtetuta e Shqipërisë, neni 9, kërkon që partitë të bëjnë publike kurdoherë burimet e financimit. Kjo nuk ka ndodhur, nuk po ndodh dhe pavarësisht Kodit, shkelja e parimit dhe normës kushtetuese përbën një devijim thelbësor nga parimet demokratike të shtetit të së drejtës.
A di njëri sa kushton një fushatë elektorale në Shqipëri?
Zyrtarisht shkon 7-8 million euro. Jo zyrtarisht shkon të paktën tre herë më shumë. Çfarë do të thotë kjo? Tek shifra zyrtare futen buxheti shtetëror për partitë dhe zgjedhjet (për çdo zgjedhës në listë shteti paguan 1.3 euro) si dhe deklarimet nga vetë partitë në KQZ. Tek pjesa jo zyrtare futen financimet elektorale informale të partive, kandidatëve, stafeve, zyrtarëve mbështetës, etj. Për shembull, asnjë nga zyrat e marra me qira nuk deklarohen, materialet e blera zgjedhore nuk deklarohen, burimet mbështetëse (karburant, dieta, dhurata, mjete komunikimi, broshura, reklama në media apo në rrugë, etj) nuk deklarohen, shto këtu edhe pagesat informale klienteliste (blerja e votës, pagesa e borxheve për zgjedhësit, pagesa ektra për komisionerët e vëzhguesit, blerja e informacionit për rivalët, investimet e kandidatëve në rrugë, organizim lëvizjesh, mitingjesh apo shërbime të tjera komunitare, etj). Merrni vetëm komisionerët: ata paguhen nga shteti, nga partia, nga kandidati dhe shpesh edhe nga kandidati/partia rivale, – pra marrin të paktën 3-4 pagesa, kur zyrtarisht figuron vetëm një dhe ata kanë statutin e nëpunësit civil, pra ligjëriasht nuk duhet të pranojnë pagesa të tjera dhe as të kryejnë shërbime partiake.
Nëse një qytetar nuk paguan një lek për ujin, energjinë apo shërbime të tjera përfundon në burg pasi i troket shteti në derë, por për milionat e hedhura në fushatë kush mban përgjegjësi?
Askush. Asnjë parti kryesore nuk është penalizuar. Sistemi është i mbyllur: partitë kryesore emërojnë KQZ-në dhe ky duhet të kontrollojë partitë, pra organin që e emërohen dhe e udhëzon. Institucionet e tjera të ligjit nuk ndjehen, nuk veprojnë dhe nuk përfshihen, edhe pse ligji u kërkon një rol aktiv si në cdo rast të veprave të mundshme penale. Për shembull, KLSH nuk monitoron asnjëherë buxhetin shtetëror elektoral edhe pse është detyrim kushtetues për të, Inspektorati i Pasurisë nuk heton dhe as raporton shkeljet e shumta që deklarohen në kontrastet midis deklarimit vjetor dhe deklarimit të sponsorizimeve në KQZ, drejtoria e pastrimit të parave nuk heton partitë madje vetë drejtori është drejtues financiar i një partie të madhe, pra duhet të kontrollojë vetveten (!!), prokuroria nuk përfshihet, njësia antikorrupsion është vetë në fushatë me ata që duhet të hetojë, etj, etj. Pra, sistemi është i tillë, i ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos ketë kontroll. Ndaj partitë tek ne kanë më shumë pushtet sesa u jep kushtetuta dhe vetë ato janë imune ndaj qytetarëve, – një tipar ky i regjimeve oligarkike parademokratike, jo i demokracive funksionale.
Partitë politike kanë një fond të caktuar për të realizuar fushatën që jepet nga shteti, në fakt rezulton se shpenzohet shumë më shumë, a duhet që çdo kandidat apo individ të bëjë publike paratë e shpenzuara?
Do duhej. Është praktikë e cdo vendi demokratik. Zgjedhësi përpara se të votojë duhet të gjykojë edhe burimet e financimit të kandidatit. Sistemi ynë është i kundërt. Në fillim votohet, dhe pasi procesi ka mbaruar, bëhet një procedurë teknike monitorimi. Për pasojë, shpesh ndodh të dalin në dritë financime informale dhe skandale politike elektorale, të cilat tregojnë se sovraniteti dhe legjitimiteti zgjedhor është cënuar. Por kjo ndodh as vonë dhe as pjesërisht, sa nuk imponon dot një klimë ndryshimi dhe korrigjimi. Nëse palët do kishin dashur të bëhej transparencë sic e kërkon Kushtetuta, do kishin përcaktuar në Kodin Zgjedhor detyrimin për bërjen publike cdo javë të burimeve financiare, shpenzimeve dhe sidomos burimet e financimit, emrat e sponsorve, në mënyrë që ne të qartqësohemi që në fillim nëse kandidati që pretendon të zgjidhet është peng apo jo i vendimmarrjes së tij në vitet e ardhshme. Kjo nuk ndodh, ndaj shumica e të zgjedhurve mbeten peng i financimit informal.
Si mund t’i jepet fund abuzimit me shpenzimet elektorale?
Praktika gjermane jep financim elektoral mbi bazën e numrit të votave për çdo parti (jo nga mandatet që janë produkt i kalkulimeve elektorale, jo i votës elektorale). Çdo firmë që sponsorizon deklaron financimin nën masën e lejuar dhe zyra e tatimeve bën verifikimin e burimit të financimit, etj. Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Mjafton pak vullnet, ndryshim në Kod dhe gjithcka zgjidhet. Por fatkeqësisht ka konsensus majtas-djathtas që të mos ndodhë asgjë dhe që sistemi informal financues të ruhet edhe më tej.
Kryefjala e diskutimit në këtë fushatë përveç financimit të partive ka qenë edhe dekriminalizimi, pse kemi ardhur në këtë pikë diskutimi dhe pse dështoi dekriminalizimi për kandidatët për kryebashkiakë e anëtarë të këshillave bashkiakë?
Është e pritshme që kur fushatat dhe vendimmarrjet politike kanë burime informale financimi të ketë edhe fitues (kandidatë apo parti) me elementë të inkrimunuar brenda tyre. Vetë koncepti financim informal nënkupton produkt informal zgjedhor. Nuk i kemi vetëm në parlament, i kemi edhe në nivele të qeverisjes, edhe në listat e këshilltarëve dhe fatkeqësisht disa prej tyre mund të sigurojnë mandat drejtues në disa bashki. Presioni amerikan dhe i BE bëri efektin e vet fillestar, por për të pastruar sistemin duhen ndryshuar konceptet e tyre që ushqejnë sistemin përfaqësues. Dhe këta janë 2-3-4 liderët e partive kryesore politike që hartojnë listat dhe emërojnë deputetë, këshilltarë dhe kryetarë bashkish. Nëse ata duan, dekriminalizimi ndodh për një orë, nëse ata janë peng apo borxh në klientela informale, procesi i dekriminalizimit do jetë i gjatë dhe problematik.
/tesheshi.com/