Mu në kulmin e një përqëndrimi të vëmendjes publike e mediatike te pasojat e rënda të tërmetit, ia behu lajmi se Agron Tufa ka lënë Shqipërinë nën kërcënime komunistoide, duke zgjedhur të kërkojë “strehim politik” në Zvicër. Dhe e para gjë që u përfol, qe ajo e një truku prej tij, pikërisht për të përfituar azilin. Ndërkohë, ka shumë zëra që kanë bindjen se vërtet Tufa është kërcënuar, pra deri në pikën e një ikjeje për të shpëtuar në mos kokën e tij, atë të fëmijëve.
E kjo ndodh në vitin 2019, në kushte demokracie e jo diktature, gati tre dekada pas rënies së komunizmit, duke vënë në pikëpyetje shumëçka nga ky akt i Tufës.
Një rezyme e shkurtër
Agron Tufa nuk ka trokitur në jetën publike shqiptare jo si veprimtar anti-komunist, por si shkrimtar, poet, përkthyes. Ai i përket brezit të talenteve letrare të kapërcyellit të viteve ’80-’90, që ma pas studioi në Moskë. Romani i tij i parë “Dueli”, do qe një suprizë për letërsinë shqipe të pas 90-ës, vlerësuar nga Kadare me thënien “vepra më e bukur që kam lexuar 10 vitet e fundit”. Kështu nisi të ravijëzohet profili i tij publik ndër vite, duke e patur theksin te letrarja më shumë se te politikja. Ndërkohë, prezenca e tij në media do shenjohej dhe me themelimin e suplementit letrar “Fjala”, si një shtojcë e gazetës Tema.
Në qeverinë e Berishës, ai mbërriti deri te Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit, e më pas kaloi në krye të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, e pikërisht aty nis dhe beteja e tij me të kaluarën enveriste, ku kohë pas kohe, me shkak konkret ose jo, trazonte ujrat e së kaluarës, herë me fakte e here me qëndrime, siç ishte dhe ai për heqjen nga transmetimi të filmave të Kinos komuniste, të cilat vijonë të shijohen me endje nga një pjesë e publikut.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, puna e tij dhe e institutit vijoi normal, dhe Rama, edhe pse “rrogëdhënës” i Tufës, nuk ndërhyri kurrë në punën e tij, e më pak akoma në qëndrimet. Paralel, nga të majtët, do themelohej dhe Autoriteti i Dosjeve, një tjetër instancë që zbardh të djeshmen komuniste për sa e sa fate njerëzore.
Tufa polemist
Protagonizimi anti-komunist i Tufës pra, nis e profilizohet gjatë viteve të fundit me të majtën në pushtet. Edhe pse jo një figurë klasike e persekutimit komunist(vetë ai nuk është ndëshkuar me burg a diç tjetër), Agron Tufa u bë në pak kohë një mishërim i urrejtjes kundër të djeshmes komuniste, duke denoncuar raste krimesh, implikimesh apo gënjeshtrash në narrativën komuniste, duke bërë që dhe karshi tij të aktivizohej një skotë nostalgjikësh, apo mbrojtjes së të djeshmes, jo të regjimit por luftës, në pushtet apo thjesht në media. Përplasja mes tyre, ka shoqëruar pothuajse të gjitha zhvillimet e tjera të natyrës politike e sociale të 6 viteve të fundit, herë duke mbetur në hije e herë duke dalë në sipërfaqe, derisa vjen lajmi i “dorëzimit” të Tufës.
Ku mbeti ideali?
Nuk është nevoja të dyshosh në motivet e vërteta të Tufës për azilin e tij politik, për ta konsideruar aktin e tij si dëshpërues dhe aspak mesazhues pozitiv për shoqërinë.
Beteja e tij me enveristët është konsideruar si ideale (pavarësisht rrogës që merrte në shtet), është konsideruar si kauzë e lartë, e të tilla nuk braktisen aq lehtë. Sigurisht që ka kosto, mos qoftë e thënë dhe me jetë, por që ka ndodhur e do ndodhë, edhe në pikën më të dobët, atë që implikon fate fëmijësh, sepse betejat në këtë botë nuk janë bërë vetëm nga beqarët. Tufa vetë e zgjodhi kauzën e tij, në kushte lirie, e varësisht rëndësisë së saj vijnë dhe kostot, që ndodh të paguhen me parrehati në shumë drejtime. Edhe sikur vërtet Tufa të jetë kërcënuar, siç pretendon, edhe te jeta e fëmijëve, kjo nuk duhej të ishte befasi për të qyshse ka patur si ideal pikërisht denoncimin e krimit e pashpirtësisë komuniste. Tani, ku shkoi ky ideal në kushtet e ikjes nga fushë-beteja e rehatimit në Zvicër? Kush do e denoncojë të kaluarën enveriste këtej e tutje? Se nëse Tufa vendos ta vijojë betejën edhe nga Zvicra, nuk ka garanci se nuk do kërcënohet dhe në kushtet e atjeshme, gjersa qasja në terma gjeografikë sot kudo në botë, është bërë mjaft e lehtë.
Tufa përballë modelit “Rama”
Akti i azilit të Tufës ndodh pikërisht në kohën e qeverisjes së Edi Ramës. Ky i fundit, edhe në përfundoftë si më i dështuari në qeverisje, ka lënë gjithsesi një model për t’u ndjekur, një leksion kauzash, që ka brenda pikërisht atë që Tufa e shumë të tjerë, kritikë të Ramës në media e shoqëri civile, nuk po mundet ta bëjnë: faktorizimin publik, më pas politik me garim, deri te triumfi e të drejtës për vendimarrje. Askush nuk e potencon sot rrugëtimin politik të Ramës, që në fakt vlen si një ndihmëtar për të gjithë ata që duan ta sfidojnë.
Rama është i vetmi nga shoqëria civile në 30 vjet që ka mundur të mbërrijë majat e politikës, duke i mundësuar vetes atë çfarë është më e rëndësishmja: të drejtën e vendimarrjes. Nuk ka bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme; thjesht ka ditur të shfrytëzojë ligjësitë e demokracisë, pikërisht ato hapësira lirie dhe protagonizmi, ku, me një lojë mjeshtërore, ka mundur të shkojë deri të vendimmarje. Edhe ai, porsi Tufa, vuan kusuret e tija të rëna te fëmijët, te familja, por e ka pranuar këtë sfidë dhe ka zgjedhur t’i shkojë deri në fund. Dhe i janë dashur më shumë se dy dekada për këtë, a gati më shumë se tre, nëse marrim në konsideratë sinjalet e tij të para “disidente” që në 89-ën, si një profesor që krijonte kokëçarje anti-parti në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Më pas, së bashku me Klosin e Lubonjën, do bënin një rithemelim të publicistikës së viteve ’30, duke themeluar njëherësh frymën kritike shqiptare me të famshmen “Përpjekja”. Tej kësaj, Rama do që një zë unik në opozitarizmin jo politik ndaj politikës, gjersa vendosi ta provojë dhe vetë se sa këllqe ka. Kjo kërkohej nga Tufa, kjo kërkohet dhe nga ajo tufë personazhesh publike anti-Rama, që të paaftë të marrin përgjegjësi publike, të fitojnë të drejtën e vendimmarrjes politike një ditë, për t’i bërë si ç’mendojnë ata ato gjëra që Rama i bën keq, kur mizërojnë me shkrime e statuse kundër Ramës, thjesht hedhin firmat e paaftësisë dhe dështimit të tyre monumental për ta konkurruar. Rama në fakt jua ka treguar se si, por ata s’dijnë ta lexojnë; ose janë të paaftë ta lexojnë.
Sikur…
Çfarë mund të kishte bërë Tufa në bindje e respekt ndaj idealit anti-komunist, në vend të azilit për një jetë komode por pa histori brenda. Çdo betejë ka dhe strategji. Nëse njëra po dështonte, ose thjesht mund të kishte kosto të rënda, mund të zgjidhte tjetrën. Si? Le ta braktiste atë që bënte, të ikte nga instituti dhe t’ja linte atë Uran Butkës e të tjerëve, që çuditërisht, edhe pse prej vitesh angazhohen me denoncimin e krimeve të komunizmit, nuk janë ankuar për kërcënime. Ai vetë, Tufa, le të aktivizonte të gjithë resurset e brendshme njerëzore të kastës së të ish-të përndjekurve, apo dhe thjesht anti-komunistëve të betuar që ka boll shoqëria, të vihej në krye të tyre e bashkë me ta të themelonte një lëvizje politike me synim pushtetin. Jo patjetër ta kishte parësor luftën me mbeturinat e ish-sistemit; të luante dhe ai shahun e tij duke vënë si prioritar të tjera kuaza në vizionin qeverisës. Nuk do qe e lehtë sigurisht, do t’i duheshin vite, por patjetër do ia dilte të triumfonte, nëse do luante mjeshtërisht shahun e tij, ku veç mendjes futet në punë dhe zemra e virtyte të tjera. E kështu, në kushte vendimmarrjeje, le t’i mbyllte hesapet njëherë e mirë me çdo mbeturinë të së djeshmes, edhe me ata që e kanë kërcënuar, e t’i dhuronte shoqërisë një model tjetër se si mund të jetë një qeverisje ndryshe nga ajo e komunistëve, apo e të majtëve që ai s’i honeps. Rrugë tjetër nuk ka. Dhe kjo rrugë ka 30 vjet që është e shtruar. Fakti që shumëkush nuk di të ecë në të, ndodh më pas që të zgjedhë tjetër, atë pa luftë e pa sakrifica, duke u vetëdënuar as të mos shkruajë histori e as të mos bëjë histori.
P.S. Në një këndvështrim tejet cinik, ikja e Agron Tufës me arsyetimin e kërcënimeve, i ngjan dezertimit të policit të Komisariatit të Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, i cili dhe ai pretendonte se ishte kërcënuar nga Rrajat. Edhe ai, nga jashtë, thoshte se iku për jetën e fëmijëve. E gjatë trajtimit të atij zhvllimi në media me të protagonist, askush nuk cekte faktin e dezertimit të tij nga detyra, për një gjë që në fakt është mëse normale ta marrësh në konsideratë që kur vendos t’i futesh atij profesioni që ka pisqollë në ije. E si mund të qe karriera e një oficeri policie nëse nuk do kërcënohej, jeta e tij apo e fëmijëve? Po e njëjta gjë edhe me jetën e ushtarakut. Po e njëjta gjë dhe me atë që lufton me komunistët.
Pra, edhe nëse azili i Tufës nuk është një truk por frikë reale nga një kërcënim real, kjo e dyta është shumë më tepër dëshpëruese se e para! /tesheshi.com/