Një hulumtim i bërë nga organizata Instituti Demokratik i Kosovë (KDI), me temën “Transparenca e dialogut Kosovë-Serbi: Këndvështrimi i qytetarëve”, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës janë deklaruar se nuk janë në dijeni për asnjë nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi në Bruksel.
Në të njëjtin hulumtim, 33 për qind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë njohuri për marrëveshjen për parimet themelore për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, 21 për qind për marrëveshjen për rivitalizimin e urës dhe 13.8 për qind, për marrëveshjen e parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërsa nga analizimi i shkallës së informacionit që qytetarët kanë për këto marrëveshje në bazë të përkatësisë etnike, ka dalë se komuniteti serb është më i informuar.
Po në këtë sondazh të KDI-së, është vënë re se 76 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës ndaj qeverisë për procesin e dialogut, 75 për qind e tyre janë shprehur të pakënaqur me përfshirjen në dialog përmes mekanizmave praktik siç janë debatet apo konsultimet publike. /tesheshi.com/