Zyrtari i lartë i departamentit Amerikan të Shtetit i ngarkuar për Ballkanin, Hoyt Brian Yee, shpalli në Uashington, në një pritje të ambasadës shqiptare, që u zhvillua në Librarinë e Kongresit, se Tirana pritet të marrë dritën jeshile nga BE për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm.
Njeriu i caktuar nga Rex Tillerson për të ndrequr trazirat në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e bëri deklaratën e tij në prani të shefit të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushatit, por edhe dy anëtarëve të Kongresit Amerikan më me influencë për çështjet shqiptare: Gary Peters dhe Eliot Engel.
Siç bën të ditur njoftimi i ministrisë së Europës dhe e Punëve të Jashtme, zv. asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, tha: “Sot festojmë gjithashtu edhe progresin tuaj drejt integrimit evropian, ku mezi presim t’ju shohim anëtar. Ju jeni në NATO, e në të njëjtën kohë jeni një shembull për rajonin duke parë përpara dhe jo pas dhe duke ndërtuar një të ardhme dhe mundësi të reja për të rinjtë tuaj”.
Kurse Ditmir Bushati u ndal në fjalën e tij tek aseti i tolerancës fetare në Shqipëri.
“Historia jonë e veçantë e tolerancës fetare është një aset special të cilin e kemi vendosur në shërbim të parandalimit të fenomeneve dhe kërcënimeve globale”, tha ministri i Jashtëm shqiptar.
Në ceremoninë që u zhvillua në Uashington mori pjesë edhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli. /tesheshi.com/