Komandanti i forcave speciale Simon Gjeta i cili humbi jetën ditën e shtunë në një operacion për kapjen e një të dyshuari, është nderuar me homazhe shtetërore ndërsa presidenti Bujar Nishani i akordoi edhe dekoratën e artë të Shqiponjës.
Kolegë dhe familjarë të komandant Gjetës kanë nderuar në heshtje oficerin e rënë në ceremoninë në varrezat e Dëshmorëve ku janë mbledhur edhe politikanë e shtetarë të të gjitha ngjyrave politike.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk ka ngurruar të akuzojë Drejtësinë në fjalën e rastit.
“Çfarë ndëshkimi të merituar merr krimi kur punonjësit e drejtësisë janë përballë me persona që drejtësia nuk i dënon por i lë të lirë po aq herë. Simoni humbi jetën po shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë me jetën e tyre dhe akoma më shumë me shpirtin dhe besimin nga drejtësia që jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar”, tha Tahiri.
Të pranishëm në homazhe ishin edhe ambasadori amerikan Donald Lu, kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Më herët presidenti Nishani e dekoroi komandant Gjetën.
“Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit”, është motivacioni i dekoratës. /tesheshi.com/