Autoritetet holandeze kërkojnë rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësirën Shengen.
Kërkesa vjen pas rritjes së kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë. Policia dhe prokuroria holandeze kanë këshilluar Qeverinë për të rikthyer vizat për të gjithë shtetasit shqiptarë në zonën Shengen.
Këtë e konfirmon një memo e brendshme që përshkruan raportin në fjalë, i cili është nisur për këshillim qeverisë, ku kërkohet pikërisht rivendosja e regjimit të vizave.
Në të kaluarën disa parti politike janë shprehur pro forcimit të masave shtrënguese për shqiptarët.
Për policinë dhe prokurorinë holandeze, mënyra më e mirë për të luftuar këtë fenomen është rikthimi i detyrimit për pajisjen me viza, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mos hyjnë më lirisht në zonën Shengen dhe në Holandë.
Policia e Amsterdamit ka konfirmuar për ABC News ekzistencën e këtij raporti dhe tha që policia ka parë një fuqizim të fortë të elementëve kriminalë në Holandë. Numri i të dyshuarve për vepra penale me kombësi shqiptarë përgjatë një viti është dyfishuar, duke shtyrë kështu kërkesën për masa më të ashpra.
Do të jetë qeveria në Holandë ajo që do të vendosë për një masë të tillë, e cila deri më tani po studion raportin. Zyra e Ministrit të Brendshëm preferon të reagojë pasi ai të ketë marrë vendimin e tij. /tesheshi.com/