Nga Eva Gjura
Një histori ndryshe e kalvarit të emigrimit të mundimshëm të shqiptarëve. Shqiptarët po shkojnë në perëndim me familje dhe fëmijë, duke duruar e duruar vetëm që të marrin një leje qëndrimi edhe punë. Por ka nga ata që nuk durojnë më edhe kthehen.
Një nga këta është Serxho, një djalë 22 vjeçar i cili është kthyer me dëshirën e tij nga Franca, pas një qëndrimi të gjatë dhe tregon trajtimin aspak normal që emigrantët marrin nga shteti.
Serxho, i cili është i biri i një mikeshës sime, rrëfen atë që e quan “ferr”, nëntë muaj që i cilëson të tmerrshëm dhe duket sikur tani merr frymë më lirisht.
Impresioni në fillim të bisedës ishte një përcjellje e gjërave të bukura që kishte parë në Francë dhe konkretisht Nancy, qyteti ku ai kishte jetuar ato nëntë muaj, por ai, krejt i qetë dhe duke rrufitur kafenë tha; – ‘këto nëntë muaj kam jetuar ferrin’. Djali i ri vetëm 22 vjeç tashmë ishte bërë burrë e nuk ishte më ai çunaku që unë kisha takuar para nëntë muajve.
Nis të më tregojë, kalvarin e tij të kurbetit të vitit 2014-2015 me shpresën për të marrë azil ekonomik në Francë, për të gjetur një vend pune dhe për të rregulluar disi jetën e tij atje.
“Ti e di që unë këtu isha pa punë, për shkak të ndryshimit të qeverive, ndaj një kushëriri imë më ngriti mendjen duke më thënë që të shkoja tek ai në Francë, pasi do të më rregullonte me dokumente”, – kështu e nis rrëfimin e tij Serxho.
“Pres një biletë si qytetar i thjeshtë dhe nisem drejt Francës. Aty më pret kushëriri dhe më strehon natën e parë”,- më tregoi ai. Deri këtu duket gjithçka në rregull. Më tej ai vijon të më tregojë: “I jap 200 euro kushëririt pasi m’i kërkoi se ashtu kishte një punë urgjente për të mbyllur dhe nga ai moment nuk e pashë më”.
Unë e pyes se ku shkoi kushëriri, por as ai vetë nuk dinte asgjë konkrete. Serxho kishte mësuar se emigrantët pa dokumente ishte e vështirë t’i ndihmoje se pastaj do të kishe probleme të mëdha me policinë dhe ndoshta kjo e kishte trembur edhe kushëririn e tij. Në mëngjes kishte kuptuar se ishte krejt vetëm në mes të një qyteti të panjohur, në një vend ku nuk njihte as gjuhën dhe asgjë.
Me disa shqiptarë të tjerë të takuar rastësisht Serxho vendos të marrë frerët e jetës së tij në dorë. Shkon në prefekturë për tu regjistruar si azilant ekonomik, ashtu siç kishin bërë të gjithë. Aty i kërkojnë pasaportën, por i mësuar nga shqiptarët e tjerë që ishin përballuar me këtë situatë, ai nuk e dorëzon atë pasi ata i kishin thënë se nëse ti e jep pasaportën e ke shumë të vështirë ta marrësh dhe nuk lëviz dot më, nuk largohesh dot nga qyteti. Serxho tregon se në prefekturë e kishin pajisur me një dokument, i cili quhej RECPISET, dhe tregonte se je azilant në Francë.
E pyes nëse i kishin ofruar ndonjë vend pune, strehim dhe për të ngrenë. Ai tregon se për vend pune as që bëhej fjalë, sa për të fjetur askush nuk i strehonte dhe për të ngrënë ju jepnin vetëm 6 euro në ditë, pra 180 euro në muaj nëpërmjet një bonoje dhe kjo kishte zgjatur për tre muaj. Katër muajt e tjerë shteti ju jepte vetëm 350 euro dhe nëse ti si azilant kaloje nëntë muaj në këtë shtet dhe nuk merrje dokumentet, atëherë prefektura të hiqte bonon dhe ti riktheheshe sërish në fillim ku merrje vetëm 6 euro dita.
Insistoj prapë të mësoj se ku flinte. Më përgjigjet se flinin ne disa pensione të dorës së tretë, 4 apo 5 persona në një dhomë, sepse pagesën për fjetjen duhet ta paguanin vete dhe pronarët e tyre nuk bënin asnjë tolerim, nuk të fusnin brenda nëse ti nuk paguaje, kështu që pjesa më e madhe e pagesës që merrnin nga shteti shkonte për të paguar fjetjen.
Interesohem të di nëse kishte punuar në ndonjë vend, por më informon se kjo ishte e pamundur pasi pa dokumente askush nuk të jep punë. ‘Nuk kam bërë asgjë, asnjë punë, askush nuk të pranon nëse ti nuk je qytetar me dokumente të rregullta”, më shprehet i mërzitur. Vijon të më tregojë me tej, se pas tre muajve të parë, pasi shkonte çdo javë në prefekturë dhe përgjigja ishte po negative, më tregon se as paratë nuk mjaftonin më dhe për rrjedhojë kjo do të thoshte se nuk ke as vend ku të fusësh kokën për të fjetur, se për tu larë apo kujdesur për higjenën personale nuk bëhej fjalë, ishte një luks që vetëm mund ta ëndërrojë.
“Duke mos pasur më para për të paguar pensionet apo hotelet e dorës së tretë, unë me disa shokë të mi kam fjetur për javë të tëra jashtë dhe të mendosh që ishte borë pasi qyteti ku unë isha ishte në kufi me Gjermaninë dhe Belgjikë, ishte i ftohtë dhe binte dëborë”, tregon Serxho. Ai i irrituar thekson se askush nuk shqetësohej për të dhe për të tjerët.
E pyes nëse kishte emigrantë të tjerë nga Shqipëria, dhe më tregon se kishte plot, sidomos shqiptarë nga Shkodra dhe zonat për rreth, Maqedonia, Serbia dhe shumë vende të tjera. “Kam parë gra shtatzëna dhe nëna me fëmijë të vegjël që kanë fjetur në dëborë jashtë nëpër trotuare, kam parë burra në moshë, të cilët qanin si fëmijë dhe i binin murit me kokë, pasi kishin mbetur në udhëkryq, nuk kishin para as për tu kthyer dhe as për të jetuar atje, kam parë dhe jetuar skena që i kisha parë vetëm nëpër filma. Njerëz që flinin sëbashku gati 70-80 persona në një kazermë të madhe, gra e burra, fëmijë e të rinj, të cilët flinin nëpër shezllonë plazhi dhe në mëngjes duhet të largoheshin për ta lënë të lirë ambientin”, më tregon Serxho, i cili më thekson faktin se nëse flije në atë kazerma ishte një luks më vete pasi mundësitë për të fjetur aty ishin shumë të pakta dhe duhej të luteshe në prefekturë për të ta dhënë këtë mundësi.
Interesohem të di se çfarë bënin shqiptarët e tjerë, sa mundësi kishin për të marrë azil në Francë. Serxho më tregon se askush nuk kishte marrë azil. Ai kishte takuar aty shqiptarë, të cilët kishin nga 4-5 vjet që jetonin në atë skëterrë, rrinin gjithë ditën në dyer e prefekturës dhe në rrugët rreth saj duke pritur me shpresë për të marrë atë 6 euroshin në ditë, për të blerë bukë dhe flinin në kazerma apo poshtë urës. Nuk ktheheshin në Shqipëri, sepse kishin shitur gjithçka për të blerë biletat dhe tashmë nuk kishin asgjë as edhe në Shqipëri, por mbi të gjitha nuk kishin para as për tu kthyer, për të prerë biletën.
I mërzitur për jetën që ka bërë dhe atë që kishte parë me sytë e tij, ai tregon se për të jetuar shumica e shqiptarëve vjedhin nëpër markete copën e bukës, një kokërr domateje apo diçka të ngjashme. Në këto nëntë muaj tregon djaloshi, nuk kam ngrënë asnjë ditë tre vakte, të haje një ishte fat i madh.
“Nuk di sa ta tregova me fjalë”- pyet – “por atje kam jetuar vetë ferrin dhe nëse nuk e sheh e ke të pamundur ta besosh”.
“U detyrave të kthehem”, -më thotë Serxho, – “se e kisha të pamundur nuk jetoja dot më. Po kalonte viti dhe shteti francez vazhdonte më të refuzonte leje qëndrimin në vendin e tij”. Pak kohë para se të kthehej ati i kishin komunikuar se nëse nuk kthehej do të ndalohej nga policia dhe për shkelje të rregullave dënohej deri më një vit burg. Shumë shqiptarë e kishin pësuar, por Sexho më tregon se nuk do të pranonte të bënte burg ndaj kishte vendosur të kthehej, por tashmë në pasaporte ka një vulë që nuk e lejon të lëvizë për 5 vjet në vendet shengen, për shkak të shkeljes së rregullave.
E pyes nëse do të shkonte sërish, por i prere më thotë: “Jo, nuk mund ta bëjë kurrë më atë jetë”.
Duke u larguar nga Serxho, po përpiqesha të kuptoja jetën që kishte bërë dhe vuajtjen që kishte kaluar. Në vesh më fliste zëri i tij, “kot nuk kanë thënë guri i rëndë në vend të vet, kam jetuar një ferr dhe nuk do t’i thoja askujt që të shkojë e të përjetojë ato vuajtje, në Evropë askush nuk të do si emigrant”./tesheshi.com/