Kryeministri Rama e betonoi përfundimisht synimin për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, një vepër e mbetur në letër që nga koha e komunizmit, e cila zhyt në ujë një pjesë të mirë të Dibrës, gati duke e bërë Peshkopinë, ashtu siç Kukësi, një qytet me liqen.
“Pas më shumë se gjysmë shekulli si ëndërr në sirtarin e qeverive shqiptare, projekti i hidrocentralit të Skavicës, hyn në rrugën e realizimit. Qeveria jonë do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror këtë vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit.
Sipas Ramës, ka shumë arsye se pse duhet ndërtuar ky hidrocentral.
“Hidrocentrali i Skavicës kompleton kaskadën e lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit. Me nisjen sot zyrtarisht të procedurave, kantieri i madh i Skavicës hapet vitin e ardhshëm”, theksoi i pari i qeverisë.
Skavica ndodhet në kufirin mes Kukësit dhe Dibrës. /tesheshi.com/