Për herë të parë, kreu i SPAK-ut Altin Dumani foli në një studio televizive, në RTSH te Alban Dudushi, vetëm ai, pa të tjerë, duke rrekur të shpalosë punën e tij në e të institucionit që përfaqëson, në betejë me krimin e korrupsionin. Hamendësohet se kjo mund ta ketë mërzitur Blendi Fevziun, i cili prej kohësh ka synuar ta ketë Dumanin në studio, në emër të audiencës më të madhe që ka, si dhe vetëbindjes se është më i miri moderator i debateve në Shqipëri.
Dumani veçoi punën me Sky ECC dhe Encrochat, të cilat, siç tha, ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.
Kreu i SPAK u shpreh se “falë edhe të dhënave të përfituara nga SKY, ne tashmë kemi një panoramë më të qartë të krimit të organizuar shqiptar, të shtrirjes gjeografike, të aktiviteteve të synuara të krimit të organizuar shqiptar, të aleancave me grupet e tjera kriminale jo shqiptare, të fuqisë financiare të tyre”.
“Gjithashtu procedimet penale kur përdorëm SKY na dhanë mundësi të ekspozonim lidhjet e krimit të organizuar me politikën, me gjyqtarë, me prokurorë, me funksionarë të lartë policie dhe me përfaqësues të lartë të administratës”, u shpreh Dumani.
Dumani theksoi si shqetësim kërcënimet e krimit të organizuar.
“Jemi të shqetësuar, pasi vihet në rrezik jeta e prokurorëve dhe familjarëve të tyre. Të shumta janë rastet që janë kërcënuar prokurorët e SPAK, apo edhe familjarët e tyre. Kam në konsideratë edhe krimin e organizuar shqiptar, që në vlerësimin tim, dhe jo vetëm, edhe të agjencive me të cilat punojmë është shumë i rrezikshëm. Nuk është rrezik imagjinar, por është rrezik real”, deklaroi kreu i SPAK-ut.
Dumani më tej u shpreh se SPAK-u nuk vepron mbi bazën e ndonjë agjende politike.
“Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik. Në merremi me provat. Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë. SPAK-u është i pavarur nga politika dhe këtë ia jep Kushtetuta dhe ligji. Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre të larguar nga politika. Reagimet e mia janë institucionale dhe jo emocionale”.
Dhe, i vetmi emër konkret që ai përmendi gjatë intervistës, ishte ai i Berishës.
Duke folur për akuzat e tij, Dumani tha se “nuk kam pse i jap përgjigje akuzave të Berishës për pasurinë, por i jap përgjigje publikut taksapaguesve shqiptarë, të cilët bëjnë të mundur edhe ushtrimin e punës së SPAK dhe times si drejtues i SPAK, pasi nga taksat e shqiptarëve paguhemi”.
“Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që t’i anashkaloj”, tha Dumani. /tesheshi.com/