Dikur kanë qënë shumë të afërt me njëi-tjetrin, por sot janë kthyer në armiq publik. Një histori tipike shqiptare e marrëdhënieve mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe pronarit të një universitetit privat dhe gazetës Mapo, Henri Çili.
Çili ka qenë këshilltar i afërt me Berishën kur ai ishte në pushtet, ka kontribuar në fushatën e Lulzim Bashës për kryetar bashkie si dhe e ka marrë liçensën e universitetit kur Berisha ishte në pushtet, por sot ata janë përballur me akuza të ndërsjellta.
Berisha e ka pagëzuar universitetin e tij me emrin “Kristaq Rama”, babai i kryeministrit Edi Rama, duke marrë shkas nga kalimi i Çili në mbështetje të qeverisë socialiste. Dy ditë më parë sërish Berisha e sulmoi universitetin e Çilit. Për këtë shkak u bë një reklamë e ndaluar nga AMA, ku UET u bënte thirrje studentëve të mos humbisnin kohë në universitetet shtetërore. Berisha bëri thirrje për hetim, ndërsa Çili sot e quan atë palë me komunistët, të vjetrit dhe të rinjtë.
Pasi i kujtonte Berishës se dikur universitetin e tij e thërrisnin në qarqet politike “Argita Berisha” dhe se vajza e tij kishte dhënë mësim aty e mbesa Dasara kishte botuar një libër, Çili i kujton Berishës se ai nga liberal është kthyer në punist.
“Përse ish-kryeministri Berisha, i afishuar publikisht, gjerësisht, me idetë më të avancuara, gjatë kohës kur ishte kryeministër për liberalizimin e arsimit të lartë, për tregun e arsimit, për parimin “paraja ndjek studentin” etj. etj., sot i ka braktisur tërësisht dhe u është afruar ideve të komunistëve të vjetër si Artan Fuga dhe të komunistëve të rinj si Arlind Qorri për “arsimin e lartë falas”, për monopolin e sistemit shtetëror e shumë e shumë gjëra të kësaj natyre.
Kjo në të vërtetë është shumë zhgënjyese, për mua personalisht, por dhe për këdo besoj që e ka parë Sali Berishën si një aleat për tregun e lirë në këtë vend me traditë të gjatë osmane dhe puniste”, shkruan Çili sot në një replikë të gjatë në gazetën Mapo./tesheshi.com/