Henri Çili ka thyer heshtjen e gjatë dhe I është rikthyer shkrimeve të tij të “kritikës politike”, kësaj here duke i dalë në krah reformave të ndërmarra nga kryeministri Rama. Një shkrim i gjatë i tij rreket të analizojë atë çfarë po ndodh me Ramën dhe opinionin përballë tij, duke marrë shkas dhe nga ligji i importit të mbetjeve. Sipas Çilit, Rama duhet ta braktisë programin e Rilindjes që e çoi në fitoren e 23 qershorit, pasi ai ishte populist.
Dhe siç thotë Çili, ai, në disa reforma të ndërmarra duket se e ka braktisur atë dhe mirë ka bërë. Por ky qëndrim i kokës së UET-it, aty prej nga është furnizuar opozita me një gamë individësh, është marrë si një ndryshim kursi i tij në funksion të të paturit të punëve mirë me Ramën, tashmë në pushtet. Madje, ish-drejtuesi i mediave të tij, Artur Zheji, e ka quajtur “lëpirje” shkrimin e mikut të tij, Henri Çili.
Siç dihet, Henri Çili, një ish-gazetar kulture, u kthye pas studimeve në Francë duke u investuar në një tjetër staturë, atë të protagonistit në formësimin e opinionit public, duke themeluar fillimisht gazetën Standart, sapo Berisha rierdhi në pushtet. Më pas, do angazhohet pranë stafit të Berishës së bashku me Ermal Hasimen dhe Albana Vokshin, derisa vendosi të kalojë në botën akademike me themelimin e UET-it.
Dhe krahas këtyre zhvillimeve, ai u rreshtuar kundër Ramës gjatë këtij të fundit në opozitë, duke marrë jo pak kosto në personalitetin e tij. Tashmë, është kthyer pro tij, duke deklaruar në shkrimin e së hënës, se Ramës i duhet edhe një mandat tjetër për të vijuar reformat e nisura. /tesheshi.com/