Në 28-vjetorin e Referendumit për Pavarësi të Kosovës, të mbajtur më 26 shtator 1991, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se edhe në 6 tetor e kemi një referendum të ngjashëm.
Sipas tij, zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum dhe se nuk do të lejohet prekja e kufijve dhe sovranitetit, me të në krye të qeverisë.
“Më 26 shtator 1991 populli i Kosovës masovikisht i është përgjigjur referendumit, për t’u deklaruar për pavarësinë e vendit. Ky akt historik, vulosi vullnetin e popullit tonë për të jetuar të lirë e të pavarur. Tani, 28 vjet më vonë, zgjedhjet që i kemi përpara janë referendum se nuk do të lejohet prekja e kufijve dhe sovranitetit, për ta çuar në vend amanetin e brezave”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Haradinaj momentalisht gjendet në SHBA për tu takuar zyrtarë të lartë amerikanë.
Bëhet me dije se udhëtimi i tij në SHBA është arsyeja pse ai mungoi në hapjen e fushatës, gjë të cilën e mori përsipër numri 2 i koalicionit, kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti. /tesheshi.com/