Halimah Yacob u betua të enjten me 14 shtator si Presidentja e tetë e Republikës së Singaporit.
Ish-Kryetarja e Parlamentit, është gruaja e parë dhe Malai i parë në 47 vjet që ngjitet në zyrën më të lartë të vendit, rreth 20 muaj, pasi ndryshimet në skemën e zgjedhjes së Presidentit hynë në fuqi, të cilat sigurojnë që institucioni politik të mbetet i fuqishëm dhe efektiv.
Para saj, Yusof Ishak ishte Presidenti i parë i Singaporit dhe i vetmi Malaj, i cili mbajti zyrën deri sa vdiq në vitin 1970.
Ajo mbërriti në Istana të enjten mbrëma, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Mohamed Alhabshee, për ceremoninë e inaugurimit.
Ngjarja u hap zyrtarisht në Sallën Shtetërore, ku u intonua Himni Kombëtar, që u pasua me dhënien e betimit dhe pastaj nënshkrimin e betimit.
Kryeministri Lee Hsien Loong mbajti një fjalim, në të cilin ai tha se udhëtimi i zonjës Halimah nga një fillim modest deri në në zyrën më të lartë në vend reflekton historinë e Singaporit.
“Historia juaj pasqyron atë të Singaporit, se si kemi ardhur deri këtu ku jemi së bashku, dhe se çfarë synojmë të arrijmë si komb”, tha Lee.
“Ne besojmë fuqimisht se kushdo që punon shumë, duhet të jetë në gjendje të realizojë potencialin e tij të plotë dhe të japë kontributin e tij të vlefshëm për shoqërinë,” filloi fjalimin e saj inaugurues presidentja Halima. “Kam bindje të fortë personale për sistemin tonë meritokratik, sepse pa të, nuk do të isha këtu sot”.
Duke rikujtuar se si nëna e saj, e rriti dhe e edukoi atë dhe katër vëllezërit e motrat , me një dorë, zonja Halimah tha se përjetuan varfëri dhe vështirësi, duke luftuar çdo ditë për të mbijetuar.
“Për fat të mirë, jam rritur në Singapor”, tha ajo.
Përkundër rrethanave të saj familjare, ajo arriti të sigurojë një arsimim të mirë, pasi kishte mbështetjen e familjes, mësuesve dhe komunitetit, dhe gjithashtu punoi shumë.
Përvojat e saj janë gjithashtu një afirmim i multiracializmit të Singaporit, tha ajo.
Ajo premtoi të jetë Presidente për të gjithë qytetarët e Singaporit, pavarësisht nga raca, gjuha ose feja.
Kryeministri Lee tha se nuk kishte asnjë dyshim se zonja Halimah do të unifikojë të gjithë singaporeanët, siç bëri pararendësi i saj Yusof.
“Ju, gjithashtu, do të forconi ndjenjën tonë të nacionalitetit. Ju, gjithashtu, do të jeni Presidentja jonë”, tha ai. /tesheshi.com/