Antoine Griezman nuk e përjashton një kalim tek Manchester United. Francezi i Atletikos së Madridit ka rifilluar “flirtin” me klubin britanik, duke u shprehur se do ta kishte për nder të luante në një skuadër si “Djajtë e kuq”. “Patjetër që ndihem i nderuar.
Për më tepër që numrin 7 në fanellë e kam zgjedhur prej David Bekam, kur ai luante tek Manchester United. Nuk e di me saktësi çfarë do të ndodhë, por sa më përket mua, besoj se do përshtatesha me futbollin në Premier League” – është shprehur vetë lojtari.
Ndërkohë mësohet se trajneri Mourinho i Manchester, ka “futur mik” mesfushorin Pogba për të bindur përfundimisht sulmuesin mëngjarash. Mes spekullimit dhe të vërtetës, mediat shkruajnë se Mourinho ka porositur francezin “e tij” Pogba, që t’ia bëjë të qartë Griezman se do të vendoset në qendër të projektit të klubit, e se do të shkëlqejë edhe më shumë në Manchester.
Duket se për ta çuar këtë negociatë në destinacion, “era duket e mbarë”. Megjithatë duhet pritur me durim cfarë do të ndodhë, sepse për Griezman, vlera e të cilit ka rënë në 100 milion euro, kanë hedhur sytë edhe “pasanikët” e Manchester City dhe ata të PSG-së. /tesheshi.com/