Një aksident tronditës ka ndodhur në Greqi, ku një 21-vjeçar u copëtua nga helikat e një helikopteri privat nga i cili zbriti.
Deri tani policia ka bërë 3 arrestime në ngjarjen e trishtë pasi u arrestua piloti i helikopterit dhe 2 teknikë tokësorë të vendit ku u ul helikopteri.
Policia po heton për të përcaktuar se pse helika e pasme po lëvizte ndërsa helikopteri ishte në tokë.
Viktima është një turist, i cili po kthehej nga Mykonos-i në Athinë për të vijuar udhëtimin me avion drejt vendit të tij. 21-vjeçari dhe të paktën një nga vëllezërit e motrat e tij po udhëtonin me helikopterin me qira, ndërsa prindërit e tij në një helikopter tjetër, në një fluturim drejt Athinës nga vendpushimi i njohur grek.
Pasi zbarkuan në helipadën e kompanisë, ata synuan të zhvendoseshin në aeroportin “Eleftherios Venizelos”, të hipnin në avionin privat të familjes dhe të ktheheshin në Britani.
Dy helikopterët po fluturonin njëri pas tjetrit. Helikopteri i parë Bell 407 i kompanisë Superior Air, me katër pasagjerë dhe një ekuipazh prej një operatori, u ul në helipadën e kompanisë Helipad që ndodhet në fund të sallës shumëfunksionale Lolos në Spatë, shumë pranë aeroportit “Eleftherios Venizelos”. Në helikopterin e dytë në vijim, ishin prindërit e 21-vjeçarit që humbi jetën.
Pas uljes së Bell 407 të kompanisë Superior Air, katër pasagjerët u larguan nga zona e heliportit për të hipur në makinat që do t’i çonin në aeroportin “Eleftherios Venizelos”.
Sipas asaj që dihet deri më tani, tragjedia ka ndodhur teksa i riu ka zbritur pa e ditur se një helikë ende rrotullohej dhe është nisur drejt bishtit të helikopterit, për arsye ende të panjohura.
Vëllai i tij dhe piloti u tronditën kur panë të riun të copëtuar para syve të tyre pasi u godit nga rotori i bishtit të helikopterit i cili ishte në funksion dhe vdiq menjëherë rreth orës 18:20 të së hënës pasdite.
Piloti i helikopterit ka nxituar menjëherë të kontaktojë në radio kolegun e tij në helikopterin e dytë, në të cilin ndodheshin prindërit e 21-vjeçarit fatkeq, për të mos u ulur në helipadën e kompanisë Helipad në Lolos të Spatës ku i riu u vra. Piloti i helikopterit të dytë devijoi dhe zbriti në “Eleftherios Venizelos”.
Sipas Sun, shkaku i aksidentit është nën hetim, por mbetet e paqartë pse helika në rotorin e bishtit të helikopterit po funksiononte dhe nuk u ndalua përpara se pasagjerët të lejoheshin të dilnin.
Identiteti i familjes nuk u zbulua nga autoritetet, por siç raportojnë mediat britanike bëhet fjalë për një familje jashtëzakonisht të pasur, pasi udhëtimi i tyre me dy helikopterët nga Mykonos kushtoi më shumë se 17 mijë euro.
Në Spatë i prisnin edhe limuzinat për t’i çuar në “Eleftherios Venizelos” ku do të hipnin në një “jet privat familjar” për t’u kthyer në Britani. /tesheshi.com/