Në Top Story përballë Sokol Ballës, një intervistë dhe me elementë rrëfimi mbi veten, Gramoz Ruçi, kreu i parlamentit dhe njëherësh një ndër figurat më emblematike të politikës shqiptare në 27 vite, ka folur dhe mbi pozitën e tij si ish-ministër i Brendshëm në vitin ’91, e më pas mbi ngjarjet e 2 prillit në Shkodër.
Ruçi, si kundërpërgjigje ndaj akuzatorëve të tij, që siç u shpreh me habi ia dedikojnë atij krimet e nje sistemi, tha se ai nuk i përket diktaturës si ish-ministër, por kohës së demokracisë. Ruçi kujtoi se ai është emëruar ministër në kabinetin Nano, në mars të vitit 1991.
Dhe duke qëndruar tek roli i tij në këtë periudhë, ai përmendi faktin se po në mars të atij viti ishin liruar të gjithë të burgosurit politikë. “Lirimi i tyre është bërë me firmën time”, tha Ruçi, duke mos pranuar që të kryqëzohet për gjëra që nuk i përkasin karrierës së tij politike.
Duke folur dhe për ngjarjen e 2 prillit në Shkodër me katër të vrarë, ai pos që bëri një krahasim me ato të 21 janarit, duke konkluduar se reagimi parlamentar për të parën ka qenë ku e ku në raport me të dytën, tha se kurrë nuk mund t’u linte fëmijëve dhe të afërmve, barrën e vrasjes së katër njerëzve.
Ruçi përmendi dy gjyqe në të cilat ishte paraqitur për 2 prillin, pikërisht në Shkodër, prej së cilave kishte dalë i pastër edhe pse në pushtet ishte PD.
Madje Ruçi tha se dhe miqtë më të mirë i kishte nga Shkodra, dhe nëse mundej do kishte dashur të zgjidhej deputet pikërisht në fund të karrierës politike. /tesheshi.com/