Problemet e ngrira territoriale në Ballkan duhet të zgjidhen, e BE mund të luajë një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e tyre, thotë në intervistën për DW eksperti i Ballkanit nga Universiteti i Vjenës, Vladimir Gligorov.
DW: Më 12 korrik zhvillohet konferenca për Ballkanin Perëndimor në Trieste, vazhdim i të ashtuquajturit proces i Berlinit që synon forcimin bashkëpunimin e qeverive dhe ekonomive. Një pjesë jo e vogël e sipërmarrësve në rajon thonë se Ballkani ende nuk e ka kuptuar mesazhin për bashkëpunim rajonal që vjen nga BE. Cila është diagnoza juaj për bashkëpunimin e deri tanishëm?
Vladimir Gligorov: Strategjia e BE-së dhe e komunitetit ndërkombëtar është: Bashkëpunimi ekonomik do të nxisë normalizimin politik, po tani po shihet se ky është një proces i ngadalshëm. Në praktikë, asnjë nga problemet e ngrira nuk është zgjedhur përfundimisht, gjë që kufizon bashkëpunimin si në politikë ashtu edhe në ekonomi. Sa u përket integrimeve europiane duhet theksuar se në rajon nuk flasin njëzëri.
Kjo do të thotë se bashkëpunimi ekonomik është i kufizuar në një masë të madhe nga konfliktet e ngrira dhe mosmarrëveshjet politike. Megjithatë interesi në rritjen e bashkëpunimit me BE-në, por edhe në tregtinë rajonale është në rritje. Së fundi është fakt se tregjet e rajonit janë të vogla dhe për këtë arsye nuk ka edhe kompani të mëdha, kështu që nuk krijohet dot bashkëpunim më i madh për të vepruar në tregjet e tjera. Për këtë arsye kompanitë e huaja ndërkombëtare janë të domosdoshme, e ato kryesisht nuk ekzistojnë në rajon.
DW: Gjermania i mbështet planet e Komisionerit Johannes Hahn për të krijuar një hapësirë ekonomike rajonale. A është ideja, që të krijohet një treg i përbashkët nga të gjithë vendet e Ballkanit, kujtoj se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë entuziazmuar nga kjo? Ku i shihni ju problemet më të mëdha për realizimin e këtyre planeve?
Vladimir Gligorov: Për këtë qëllim është themeluar CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore). Pra flitet për një thellim të CEFTA-së me liberalizimin e tregut të punës. Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nga vendet e Ballkanit do të çojë në harmonizimin e legjislativave me BE-në. Nuk jam i sigurtë nëse e ka kuptuar çdokush, se treg të përbashkët në Ballkan do të ketë vetëm në kontekstin e harmonizimit të tregjeve dhe ligjeve me BE-në. Nga ky këndvështrim një treg rajonal i përbashkët mund të përshpejtojë procesin e harmonizimit me BE-në.
DW: Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është një promotor i fortë i idesë së Bashkimit Doganor të Ballkanit Perëndimor. Ai beson se me integrimin e ekonomisë do të bëhet një hap i madh drejt BE-së. A jeni ju dakord me këtë mendim?
Vladimir Gligorov: Duhet të kuptohet se të gjitha vendet, në qoftë se ato bëhen anëtarë të BE-së, do të marrin doganën e jashtme të BE-së përsipër. Prandaj ka dy mënyra: E para, të gjitha vendet të mund të pranojnë tarifat e BE-së. Opcioni i dytë do të jetë harmonizimi i regjimit doganor me vendet e treta ( kryesisht tarifat në tregtinë me BE-në janë eliminuar, përveç rastit të Kosovës, ku procesi është ende në fazën fillestare).
DW: Stabiliteti politik është parakushti kryesor për të filluar bisedimet për çështjet ekonomike. A është Ballkani Perëndimor politikisht gati për një hap përpara?
Vladimir Gligorov: Problemet e ngrira territoriale duhet të zgjidhen. Kjo vlen për Kosovën dhe Republikën Serbe në Bosnje. Çdo gjë varet nga gatishmëria e Serbisë për normalizim. Ndoshta një zgjidhje shumëpalëshe do të ishte realiste: Arritja e një marrëveshjeje rajonale për paprekshmërinë e kufijve dhe një zgjidhje shumëpalëshe për të gjitha problemet e ngrira. BE-ja me përshpejtimin e procesit të integrimit dhe fondeve të ndryshme që janë investuar në rajon, si pjesë e procesit të Berlinit, mund të luajë një rol të madh. Pra, një model perëndimor për zgjidhjen e problemeve territoriali dhe problemet e identitetit në Ballkan./tesheshi.com/