Të thuash që futbolli shqiptar po kalon një nga momentet më të mira të tij në cdo aspekt është pak, dhe ndoshta një fjali e përsëritur me qindra herë.
Futbolli ynë pritet të përjetojë një tjetër mesjavë të ethshme në kontinent, pasi do të zbresë në fushë Skënderbeu për sfidën e parë të turit të dytë të Champions League si dhe Kukësi për sfidën e parë të raundit të dytë të Europa League.
Por të enjten një tjetër ekip shqiptar do të zbresë në fushë teksa në “Qemal Stafa” sfida Kukësi-Mladost do të jetë drejt fundit. Në Boeyn Ground të Londrës një katërshe shqiptarësh do të vendosë drejtësi në sfidën West Ham United-Birkirkara, transmeton SuperSport.
Enea Jorgji i cilësuar si më i miri i arbitrimit në vend do të jetë arbitër kryesor në një sfidë të nivelit të lartë, teksa asistentët e tij do të jenë Ridigers Cokaj dhe Astrit Mahmuti. Gjyqtar i katërt do të jetë Kridens Meta.
Edhe në raundin e parë të Europa League gjykuan tre skuadra të arbitrave shqiptarë ku kryesorë ishin pikërisht Enea Jorgji, Lorenc Jemini dhe Bardhyl Pashaj.
Caktimi i Jorgjit për të vendosur drejtësi në sfidën West Ham United-Birkirkara është një vlerësim për punën e arbitrave tanë, të cilët kanë treguar nivel në rritje ashtu si dhe futbolli ynë. /tesheshi.com/