Gjykata e Lartë vendosi të pranojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, duke detyruar SPAK të regjistrojë procedim penal për dosjen e “21 janarit”.
Vendimi u morr nga trupi gjykues Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
“Gjykata e Lartë vendosi që hetimet sa i takon vrasjes së Aleks Nikës, të kryhen nga SPAK. Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjarëve të Aleks Nikës”, bëhet me dije nga vendimi i trupit gjykues.
Çështja në Gjykatën e Lartë u dërgua nga familja e Aleks Nikës, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut të datës 14 nëntor 2023, që kërkon identifikimin e autorëve të vrasjes së Nikës, që ka mbetur pa autorë.
Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan. /atsh/