Ish-kryeministri malazez, e njëkohësisht shefi i mazhorancës në qeverisje, Milo Gjukanoviç ka lëshuar sot një akuzë të rëndë ndaj qeverisë ruse, duke deklaruar se Moska ka tentuar të shkaktojë gjakderdhjen më të madhe në Ballkan.
Në një fjalim publik në qytetin e Nikshiqit, që është edhe vendlindja e tij, Gjukanoviç tha se, “Ishte tentativë e gjeneruar nga politika aktuale e Moskës, e cila dëshiron që të ketë ndikim më të fuqishëm në Ballkan, dëshiron që të shlyejë llogaritë e saj me partnerët perëndimorë apo me kundërshtarët, para së gjithash me Europën dhe Amerikën. Kjo tentativë nuk mund të bëhet pa ndihmën e ndihmësve vendorë.”
Ai shtoi se strukturat politike rreth opozitës janë vendosur në rrëzimin e Malit të Zi dhe të së ardhmes së tij në interes të qendrave të huaja politike.
“Më e keqja është se punojnë pa asnjë lloj turpi, me krenari i theksojnë udhëtimet e tyre, të gjitha komunikimet, të gjitha paratë që kanë marrë para disa ditëve në Moskë me qëllim që të sigurojnë fonde shtesë për të përfunduar punën që e filluan më 16 tetor,” ka deklaruar Gjukanoviç. /tesheshi.com/