“Shpenzimet e larta të misionit” dhe “niveli i ulët i kërcënimit për sulme me raketa balistike” janë dy arsyet që ka paraqitur dikasteri gjerman i Mbrojtjes në lidhje me tërheqjen e lajmëruar të dy baterive të mbrojtjes raketore nga Turqia.
Tërheqja do të ngjasë para fundit të këtij viti, ndërsa në një njoftim në faqen elektronike të Ministrisë gjermane të Mbrojtjes konfirmohet se nuk do të zgjatet mandati i mbrojtjes së kufirit jugor turk përtej afatit të parashikuar. Po kështu, bashkë me bateritë do të tërhiqen dhe 250 ushtarët gjermanë që janë aktualisht pjesë e misionit.
Vetë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, nuk i ka kursyer fjalët e mira për misionin e kryer deri tani nga ushtarakët gjermanë, “Së bashku me partnerët e NATO-s e kemi mbrojtur popullin turk nga sulmet e mundshme raketore prej Sirisë. Raketat tona Patriot e kanë kryer me sukses misionin e tyre.”
Turqia i pati kërkuar më herët NATO-s ta ndihmonte në forcimin e mbrojtjes ajrore ndaj sulmeve të mundshme nga Siria. Pjesë e misionit të mbrojtjes raketore u bënë SHBA-të, Gjermania, Holanda, e së fundi dhe Spanja.
Forcat e NATO-s janë të dislokuara pranë qytetit të Kahramanmarashit, në jug të Turqisë, dhe që prej janarit të vitit 2013 kanë shërbyer në mision rreth 400 gjermanë. /tesheshi.com/