Përplasja e Donald Trump me prindërit e ushtarit musliman të vrarë në vititn 2004 në Irak, të cilët mbajtën një fjalim në konventën e demokratëve, ka ndezur debat të gjerë në Shtetet e Bashkuara. Së pari, Trump është vendosur nën akuza të ashpra edhe brenda radhëve të republikanëve për gjuhën e përdorur ndaj tyre, ndërsa ekspertët politikë vënë në dukje se nëse ka pasur diçka të shenjtë në politikën amerikane është respektimi i prindërve të ushtarëve të vrarë, çfarëdo që ata të thonë. Madje, shumë mendojnë se fjalimi në konventën e demokratëve ishte shembull patriotizmi dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të ishte ndjekur nga komentet e Trump, që duket se e ka bërë këtë si të drejtën e tij duke ndjekur instiktin dhe praktikën që përdor zakonisht.
Ndërkaq, gazeta “The Washington Post” botoi një reagim të nënë së ushtarit të vrarë, Ghazala Khan, djali i së cilës, kapiteni Humayun Khan, humbi jetën në Irak. Ajo u kritikua nga Trump se qëndroi pa thënë asgjë ndërsa bashkëshorti i saj mbante fjalimin. Trump aludoi se ajo nuk e kishte të lejuar të fliste, por e vërteta është shumë ndryshe. Më poshtë reagimi i nënës Khazala Khan për “The Washington Post”.
“Donald Trump pyeti përse unë nuk fola në konvetën e demokratëve. Ai tha se do të donte të më dëgjonte edhe mua. Kjo është përgjigja ume ndaj Donald Trump: për shkak se nuk thashë as edhe një fjalë, e gjithë bota, e gjithë Amerika, ndjeu dhimbjen time. Jam nëna e një ushtari të dekoruar me Gold Star. Kushdo që më pa, e ndjeu në zemrën e vet.
Donald Trump tha se nuk kisha asgjë për të thënë. Kam. Djali im, Humayun Khan, kapiten i ushtrisë vdiq 12 vjet më parë në Irak. Ai e donte Amerikën, ku ne u vendosëm kur ai ishte 2 vjeç. Ai doli vullnetar për të ndihmuar vendin e tij, duke u regjistruar në forcat e armatosura, në universitetin e Virxhinias. Kjo ndodhi përpara sulmeve të 11 shtatorit. Ai nuk ishte i detyruar ta bënte një gjë të tillë.
Kur Humayun u dërgua në Irak, bashkëshorti im dhe unë shqetësoheshim për sigurinë e tij. Unë kisha kaluar tashmë përmes luftës, në Pakistan në vitin 1965, kur isha vetëm nxënëse e shkollës së mesme. Kështu që isha shumë e trembur. Mund të sakrifikosh veten, por nuk mund të bësh të njëjtën gjë për fëmijët.
Ne u interesuam nëse kishte ndonjë rrugë që ai të mos shkonte, për shkak se e kishte kryer shërbimin e tij. Ai tha se e kishte për detyrë. Nuk mund ta harroj kur ai po hipte në avion dhe ktheu kokën për të më parë. Ai ishte i lumtur dhe po më jepte kurajo: Mos u shqetëso, mama, çdo gjë do të bëhet mirë.
Herën e fundit që fola me tim bir ishte në ditën e Nënës në vitin 2004. I kishim kërkuar të na telefononte sapo të kishte mundësi. E luta të qëndronte në siguri. I kërkova të kthehej, dhe të mos kuturiste përreth për t’u bërë një hero, për shkak se e dija se ai do të mund ta bënte një gjë të tillë.
Ai tha: “Nënë, këta janë ushtarët e mi, janë njerëzit e mi. Më duhet të kudesem për ta”. Ai u vra nga një makinë bombë jashtë dyerve të bazës së tij. Ai vdqi duke u përpjekur të shpëtojë ushtarët e tij dhe civilët e pafajshëm.
Ky është djali im. Atij mund t’i besoje gjithmonë. Nëse unë isha duke marrë pluhurin e shtëpisë, ai do ta merrte fshesën nga dora dhe do pastronte shtëpinë. Ai doli vullnetar për t’u mësuar notin fëmijëve me aftësi të kufizuara në një spital. Ai thoshte: “Më pëlqen shumë kur ata bëjnë sado pak progres dhe fytyrat e tyre marrin dritë. Të paktën, ata janë paksa të lumtur”. Ai donte të bëhej avokat, si i ati, për të ndihmuar njerëzit.
Humayun është djali im i dytë dhe të tjerët po ia dalin mirë, por çdo ditë unë ndjej dhimbjen e humbjes së tij. Kanë kaluar 12 vjet, por e dini se dhimbjet e zemrës nuk mund të shërohen përsa kohë do të jetojmë. Vetëm duke folur për këtë është e vështirë për mua gjatë gjithë kohës. Çdo ditë, sa herë lutem, duhet të lutem për të dhe qaj. Vendi që ai la bosh do të jetë gjithmonë bosh.
Nuk mund të hyj në një dhomë me fotografitë e Humayun. Gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kam qenë në gjendje të pastrojë dollapin ku ndodhen gjërat e tij – m’u desh t’i kërkoja nuses ta bënte këtë. Të ngjitesha në podiumin e konventës, me një fotografi gjigande të tim biri, pas meje, m’u desh një përpjekje e madhe për të kontrolluar veten. Cila nënë do bënte ndryshe? Donald Trump ka fëmijë të cilët i do. A kishte vërtet ai nevojë të kishte dyshime përse unë nuk fola?
Donald Trump tha se nuk më lejohej të flisja ndonjë gjë. Kjo nuk është e vërtetë. Bashkëshorti im më pyeti nëse dëshiroja të flisja, por i thashë se nuk mundja. Besimi im më mëson se të gjitha qëniet njerëzore janë të barabartë në sytë e Zotit. Burri dhe gruaja janë pjesë e njëri-tjetrit: duhet ta duash dhe ta respektosh njëri-tjetrin kështu mund të kujdesesh për familjen.
Kur Donald Trump flet për Islamin, ai tregon injorancë. Nëse ai do ta studionte Islamin e vërtetë dhe Kuranin, të gjitha idetë që i vijnë nga terroristët do të ndryshonin, për shkak se terrorizmi është një fe tjetër.
Donald Trump tha se ai ka bërë shumë sakrifica. Ai nuk e di kuptimin e vërtetë të fjalës sakrificë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/