Fundjavën e shkuar, Xhemal Heshugi, gazetari i njohur saudit, zhvilloi një intervistë me presidentin turk, e cila u transmetua mbrëmjen e së dielës në televizionin Rotana.
Ndërsa intervista ka ngjallur interes e debat, është vetë gazetari që jep përshtypjen nga biseda e gjatë me Rexhep Tajjip Erdoganin.
“Presidenti turk u shfaq si një udhëheq i angazhuar me orientim islam, që është thellësisht i shqetësuar për ummetin musliman,” deklaron Xhemal Heshugi në përshtypjet e tij.
Duke folur për Arab News-in, gazetari tregon se i kanë lënë mbresa të gjitha përgjigjet e Erdoganit.
“Nga gjuha dhe komentet e tij, është shumë e qartë se Erdogani mendon që ummeti musliman gjendet nën sulm,” rrëfen ai.
Heshugi thotë se Erdogani ka një perceptim mjaft të mirë të kërcënimeve me të cilat përballet bota islame.
“Pikërisht në këtë kontekst,” shprehet ai, “Erdogani e sheh vlerën strategjike të marrëdhënieve saudito-turke. Erdogani është shumë i prirur dhe i angazhuar për t’i forcuar lidhjet saudito-turke.”
Pyetja mbi Mosulin, sipas gazetarit, e ka nxjerrë Erdoganin në dritën e vërtetë.
“Erdogani gjithmonë flet kundër sektarizmit, e është shumë i kujdesshëm dhe diplomatik rreth deklaratave të debatueshme mbi Iranin, por kur e pyeta për Mosulin, ai e zbuloi veten siç është.”
Dhe ja si e sqaron çështjen gazetari, “Erdogani është një udhëheqës i vendosur sunnit, që e kundërshton ndikimin dhe praninë iraniane në veri të Irakut. Kjo është ajo çfarë ai tha, ‘Populli i Mosulit janë arabë sunnitë, turkmenë sunnitë dhe kurdë sunnitë, prandaj el-Heshdu’sh-Shabi (milicia shiite) nuk do të lejohet në Mosul; Turqia dhe Arabia Saudite nuk do ta pranojnë dhe do të punojnë kundër një skenari të tillë.’”
Në opinionin e gazetarit, sauditët e pëlqyen atë çka tha Erdogani në intervistën e tij.
Ai e përshkroi presidentin turk si një autoritet me shumë vetëbesim, posaçërisht pas përpjekjes për grusht shteti.
Xhemal Heshugi e ka intervistuar Erdoganin dhe dy herë të tjera, së pari kur ai ishte kryebashkiaku i Stambollit, e më vonë, kur ai do të merrte çmimin Mbreti Fajsal. /tesheshi.com/