I është hapur rrugë edhe nga ana ceremoniale gazësjellësit TAP, me një event shtetëror në qytetin e Selanikut, Greqi.
Kryeministri grek Alexis Tsipras, ka prerë shiritin bashkë me homologun e tij azerbaxhanas, por nuk ka ftuar në këtë event Kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe atë Italian Matteo Renzi, si vendet ku do të kalojë TAP.
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) do të jetë 878 kilometra i gjatë nga kufiri i Greqisë me Turqinë, deri në Italinë jugore, si dhe përfshin gjithashtu një shtrirje nën detin Adriatik prej 105 kilometrash. Shpërndarja e gazit drejt Europës pritet të fillojë në vitin 2020.
Tsipras tha se projekti do të krijonte 8.000 vende të reja pune në vendin e tij që po vuan ekonomikisht, e që deri më tani ka një normë papunësie prej 24 për qind.
“TAP” është një projekt bashkërisht i investuar dhe i zotëruar prej kompanisë britanike “BP”, asaj azere “SOCAR”, italianes “Snam”, belges “Fluxys”, spanjolles “Enagas”, si dhe zviceranes “Axpo”.
/tesheshi.com/