Ajo që jemi mësuar të dëgjojmë vitet e fundit – mbi shënjestra të gabuara që marrin jetë të pafajshmish, ka ndodhur dhe në Shqipëri, e jo nga ushtri pushtuese, siç në Irak, Afganistan e gjetiu.
Në tetor 1943, me hyrjen e ushtrisë gjermane në territorin shqiptar, fuqitë aleate kishin planifikuar të bombardonin objektet ushtarake gjermane, në mënyrë që t’u shkaktonin nazistëve humbje të thella.
Por gjatë bombardimit të 13 tetorit nga misioni britanik, ndëssa në shenjëster ishte një prej objekteve ushtarake naziste, bombat kanë rënë në një lagje të Tiranës duke shkaktuar qindra viktima në rradhët e popullsisë civile.
Ky gabim ishte vënë në dukje nga Majori Spiro Moisiu, i cili ju kërkonte që të bënin kujdes në bombardimet e rradhës, pasi nuk duhet të ngjallnin pakënaqësi në rradhët e popullsise civile. Sipas tij, armiku mund ta përdorte këtë si argument propagandues kundër aleatëve.
Më poshtë e sjellim këtë përshkrim të ngjarjes nga Major Spiro Moisiu.
Zotit major Seymom
Më 13 të muajit tetor, avionat amerikanë bombarduan aerodromin e Tiranës, por fatkeqësisht bombarduan gjithashtu një lagje të tërë të qytetit. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve arrin në qindra. Gjith lagjja është shkatërruar dhe dëmet janë të pallogaritshme. Përveç kësaj, morali i popullit bije kur shikon se avionat aleatë bombardojnë popullsinë civile dhe armiku përfiton për të gjallëruar propagandën e vet kundër aleatëve tanë.
Ju lutem njoftoni Kajron mbi këtë ngjarje dhe i lutemi që vërejtja jonë ti bëhet e njohur atij që i takon, me qëllim që këto akte të papëlqyera të mos përsëriten më mbi popullsinë civile por të përsëriten me një ashpërsi akoma më të madhe kundër objekteve ushtarake armike.
Komandant i shtatmadhorisë së Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shq. Major Spiro Moisiu.
Kujtojmë se një gabim të ngjashëm bëri dhe NATO në Kosovë gjatë bombardimeve anti-serbe në pranverë të 99-ës. E përqëndruar te objektet ushtarake serbe, një avion i saj goditi një karvan kosovarësh në ikje drejt kufirit shqiptar. Edhe atëherë, propoganda e Beogradit u aktivizua fuqishëm për ta shfrytëzuar si rast. Viktimat në radhët e civilëve kosovarë, ishin me dhjetra. /tesheshi.com/