Sportdashësit në dy anët e kufirit kanë përjetuar dy ekstremet e ndjenjave në mbrëmjen e së enjtes.
Ndërkohë që në Vaduz përfaqësuesja kuqezi merrte atë që donte, duke fituar ndaj Lihtenshtajnit më tepër se modest por në pritje për të surprizuar, në Shkodër shkonte keq e më keq për përfaqësuesen e Kosovës. Kroacia ishte një kafshatë e pakapërcyeshme, madje një vrasëse ëndrrash!
Shqipëria, gjithnjë e më e pjekur, më pragmatike në lojë, e zgjidhi më së miri një ndeshje delikate.
Kosova, përndryshe, është e dënuar të ndjekë rrugën e Shqipërisë në historinë e saj të re të futbollit: të humbasë dhe thellë fillimisht, për t’u bërë dalëngadalë më e konsoliduar, më e maturuar, gjersa kulmi të vijë natyrshëm.
Për Shqipërinë fitorja ishte detyrim. Ndryshe, çdo rezultat tjetër e komprometonte tërë fushatën eliminatore. Dhe ajo erdhi. Rezultati 0-2 qe i kënaqshëm, sido që loja nuk ishte po kaq e kënaqshme.
Kush pret lojë të bukur, tërheqëse, fund e krye, nga përfaqësuesja e De Biazit, gabon rëndë. Italiani i ka dhënë fytyrën e mentalitetin e tij skuadrës prej kohësh: domosdoshmërisht rezultat të mirë, jo domosdoshmërisht lojë të mirë!
Në “Loro Boriçi” pritej paraqitje e mirë nga Kosova. Vetëm kaq! Një pikë ndaj Kroacisë do të ishte një arritje maksimale. Nuk ndodhi kështu, madje pasoi një humbje e thellë.
Ama duhet kujtuar se Kroacia mbetet përfaqësuesja më e denjë e futbollit të ish-Jugosllavisë. Kujtoni se ç’paraqitje bëri në Europian në fillim të kësaj vere. Turqinë e bëri për turp, mposhti Spanjën, e u eliminua në një të tetat nga Portugalia me një gol të minutës së 117-të. Nga e njëjta Portugali që do të shpallej kampione.
Vërtet, mungonin Rakitic e Modric, dy emra të jashtëzakonshëm, por për Kroacinë janë mungesa të kapërcyeshme.
Shqipëria kryeson në grupin e saj për pak ditë. Të dielën vjen prova e vërtetë. Në të njëjtin stadium ku Kosova humbi 0-6 mund të ngjasë gjithçka. Nga një humbje e përmasave të tilla, e gjer te një mrekulli, qoftë edhe me një pikë të fituar.
Spanja bëri një paraqitje të shkëlqyer në një pjesë të mirë të lojës në Torino ndaj Italisë, por kur u vu në vështirësi nga vendasit në minutat e fundit, e humbi fare toruan. Gjyqtari gjerman Felix Brych, u tregua zemërbutë kur shmangu nxjerrjen nga loja me të kuqe të Diego Costa-s dhe Sergio Ramos-it. Më së paku, Jordi Alba është thuajse e sigurt se do të mungojë ndaj Shqipërisë.
Ish-kampionët e botës dhe të Europës nuk kanë alternativë tjetër veç fitores. Për Shqipërinë mund të jetë një tjetër rast i mirë për të zënë vend në titujt kryesorë të mediave. Ndonëse nuk duhet harruar dhe më e keqja!
E vështirë do të jetë rishtas për Kosovën, këtë herë ndaj Ukrainës. Janë etapa që duhen kaluar në futboll.
E diela ka për të qenë një tjetër ditë e veçantë, me dy përfaqësuese shqiptarësh në fushë. Urojmë që këtë radhë të gëzohen të dy palët! Përndryshe, duhet sjellë në mendje se futbolli është vetëm një lojë, edhe pse shpeshherë kthehet në shumë më tepër se kaq. /tesheshi.com/