Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bën me dije se brenda këtij muaji do të mbyllet burgu i Zaharisë, aty ku vuajnë dënimin të burgosurit që kanë probleme të shëndetit mendor.
Sipas njoftimit të bërë nga kreu i drejtësisë shqiptare, të dënuarit do të transferohen për të vuajtur dënimin në bllokun 4-5 të burgut të Shënkollit.
“Brenda muajit mbyllet burgu i Zaharisë, të dënuarit transferohen në burgun e Shënkolli. Të dënuarit e Zaharisë do akomodohen në bllokun 4-5 të burgut të Shënkollit”, tha Manja.
Nuk dihen ende arsyet e marrjes së këtij vendimi, por mendohet se shkak mund të jetë bërë gjendja e amortizuar e ambienteve të këtij burgu.
Prej vitesh organizmat ndërkombëtare kanë kritikuar ashpër Shqipërinë për situatën në burg e Zaharisë, një institucion ku mblidheshin të dënuarit me probleme të shëndetit mendor. /tesheshi.com/