Franca është fituesja për herë të dytë e Kupës së Botës. Botërori i Rusisë ka kurorëzuar sërish Didier Deshamps pas 20 vitesh, tashmë si trajner, ndërkohë që në ’98-ën, në Francën e tij do shpallej kampion bote si lojtar, së bashku me Zidane, Lizarazu apo Petit.
Në një ndër finalet më emocionuese e më të bukura në historinë e Botërorëve, Franca mundi atë që me të drejtë mund të konsiderohet si surpriza e këtij kampionati, Kroacinë, ekip që ka ndryshuar kahjen e rrotës së historisë së futbollit botëror, me mbërritjen deri në finalë, e madje pretendimin për ta fituar Kupën e Botës.
Në pjesën e parë ishte pikërisht ajo që do dominonte me lojë ndaj Francës, ndonëse e mbylli në disavantazh me dy gola të pësuar aksidentalisht e një të shënuar nga talenti Perisiç. Pjesa e dyta foli me gjuhën e Francës, ku Pogba e Mbape shkundën nga një herë rrjetën kroate.
Ballkanasit nuk u dorëzuan për asnjë çast dhe me ritmin e lojës treguan se nuk ishin rastësisht në finale. Për dinjitetin e tyre e shënuan dhe një tjetër gol, për ta mbyllur të gjithë takimin me disavantazhin e dy të tillëve . Një 4-2 që tashmë do futet në historinë e finaleve të Botërorëve, si ndër më të bukurit.
Franca fiton Botërorin e dytë, por bota mrekullohet me Kroacinë! /tesheshi.com/